Gjithçka ka nisur ndoshta si lojë. Më 6 shtator 2005, plot 13 vjet më parë, do të niste futbolli i femrave në Shqipëri. U krijua ekipi i parë, u luajt ndeshja e parë dhe prandaj ky përvjetor sot merr më shumë vlerë.

Edhe sot pas 13 vitesh, të mbledhësh rastësisht 12 vajza e gra dhe t’i vësh të luajnë futboll, duket një çmenduri. Nuk mund ta bësh as në Tiranën e civilizuar, as në Shkodrën djep të kulturës.

Ka ndodhur 13 vjet më parë në një fshat pranë këtij qyteti. Meritë e jashtëzakonshme e një njeriu i cili përveç profesionit të tij të mjekësisë, ka patur një pasion të jashtëzakonshëm edhe për sportin.

Pikërisht e Ferdinand Jakut i cili me krijimin e “Juban Danjes” 13 vite më parë shkroi historinë e futbollit të femrave në Shqipëri.

Të mos harrojmë se ai ishte vetëm 37 vjeç në atë periudhë por me një vizion të qartë për atë se çfarë po bënte. Mbledhja e vajzave dhe grave të Jubanit më 6 shtator 2005 dhe zhvillimi i të parës ndeshje zyrtare në mes tyre, do të rregjistrohej më pas si momenti i lindjes së këtij futbolli në vendin tonë.

Jaku do të ishte shumë i kujdesshëm për të ruajtur çdo detaj të këtij momenti historik. Fotoja e këtij shkrimi tregon protagonistet e asaj dite (bashkë me trajnerin Marin Jaku), ka edhe video të asaj ndeshje dhe kjo ka bërë që kjo datë të mos mundet të ndryshojë.

Edhe pse ka patur prej atyre që kanë dashur ta transformojnë historinë. Ja pse, ky 13 vjetor i krijimit të “Juban Danjes” duhet festuar.

Që prej asaj dite, futbolli i femrave filloi të marrë përmasa gjithnjë e më të mëdha. Sot, Vllaznia konkurron denjësisht me shumë ekipe të Europës.

Sot kombëtarja shqiptare nën drejtimin e Armir Grimës, fiton ndaj kombëtareve të Rajonit, mund atë të Bjellorusisë dhe është gati t’i marrë pikë edhe Skocisë.

Të gjitha këto janë arritje dhe për këtë gjë, përvjetori i 13-të i “Juban Danja” merr edhe më shumë vlerë. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të urojmë këtë ekip dhe presidentin Jaku edhe për shumë përvjetorë të tjerë të lumtur. Historinë tashmë e kanë shkruar. E rëndësishme është që ta çojnë edhe më përpara.
© shkodrasport.com