Gjatë prezantimit të dy futbollistëve të rinj, Eduard Rrocës dhe Vasil Shkurtaj, presidenti Safet Gjici ka folur shkurt para kamerave, duke thënë se tashmë ekipi është i kompletuar. Në një farë mënyre, ai ia ka kaluar topin trajnerit Armando Cungu:

“Besoj se tani ekipi është i kompletuar. Trajneri të mos justifikohet më, sepse çfarë ka kërkuar, e kemi sjellë në ekip. Janë dy lojtarë që kanë luajtur mirë dhe e njohin mirë kampionatin shqiptar.

Shkurtaj është një sulmues i rrallë në Shqipëri në rolin e tij. Edhe Kombëtarja duhet ta shikojë. Besoj se ai do të ecë akoma më mirë me Kukësin”, – u shprej presidenti Gjici.

Gjatë gjysmës së parë të kampionatit, trajneri Cungu është ankuar shpesh për organikën që ka pasur në dispozicion. Klubi i ka bërë dy blerje deri tani dhe mesazhi i presidentit Gjici ishte i qartë. /Vipsport/