Gilman Lika, ish-kapiteni i Vllaznisë, ka folur dje për “Panorama Sport” rreth situatës në ekipin shkodran. Ai ka vënë theksin te mungesa e lojës nga kuqeblutë. Ish-mesfushori, që sot është një ndër trajnerët e akademisë Vllaznia, shpreh keqardhjen për largimin e teknikut Josa, por në një situatë të tillë, kur mungojnë rezultatet e loja, gjithmonë trajneri është ai që ndëshkohet i pari.

Ai është i mendimit se dyshja Miloti e Sinani duhet të mbylli këtë pjesë të sezonit dhe t’i besohet plotësisht atyre deri në fund.

A ka një shpjegim sipas jush, situata që po kalon Vllaznia?

Ne vlerësojmë atë që shikojmë nga jashtë, nuk i dimë gjërat e brendshme. Për mua, e kam theksuar edhe herë të tjera, problemi më i madh janë oshilacionet që ka pasur ekipi. Këtë e kam deklaruar edhe më herët, që tani duhen rregulluar këto probleme nëse duam të shkojmë më lart në tabelën e klasifikimit.

Çfarë ndodhi sipas jush në takimet e fundit?

Të jem i sinqertë nuk më ngroh loja në këto ndeshjet e fundit edhe pse mund te kemi marrë apo edhe pse u kualifikuam ndaj Partizanit në Kupë, por si lojë mendoj se ka çaluar shumë. Një ekip i mirë minimalisht në ndeshje duhet të krijoj raste për gol dhe të prodhojë lojë.

A do t’i besohet dyshes Miloti-Sinani apo drejtuesit duhet të shikojnë për të gjetur zëvendësuesin e Josës?

Më mirë se e njohin ekipin ata nuk e njeh kush tjetër. Kështu që mendoj se duhet t’u besohet atyre deri në fund.