Gilman Lika ka folur për situatën e krijuar në vendin tonë pas përhapjes së virusit Covid 19. Futbollisti i Vllaznisë në një prononcim për RTSH Sport ka deklaruar fillimisht:

“Është një moment i vështirë sidomos për ne sportistët sepse jemi mësuar çdo ditë me stërvitje, me ndeshje. Por, duke parë gjendjen që po kalon e gjithë botë, tani më e rëndësishëme është jeta e njeriut”.

Për lojtarët është e vështirë qëndrimi në shtëpi. Rutina e përditshme, seancat stërvitore nga dy herë në ditë mungojnë dhe këtë e thotë edhe Gilmani.

“Për futbollistin sidomos është një vuajtje shumë e madhe. Jam duke bërë maksimumin për të mbajtur atë formë. Nëse e lëmë pak ditë, duhet ta nisim fazën përgatitore”, shton më tej ai.

Si ka ndikuar ndërprerja e kampionatit në një moment kur Vllaznia bëri super paraqitje ndaj Partizanit dhe Kukësit? Edhe për këtë mëngjërashi ka një përgjigje: “Jo vetëm fitorja me Partizanin, por edhe dy ndeshjet e fundit, edhe me Kukësin, besoj se ishin shumë të mira. Ekipi tregoi një ritëm tjetër. Për këtë më erdhi keq që u ndërpre kampionati”./newsport/