Vllaznia e tij kampione në fuqi, Tirana, Teuta. Kush do të jetë kampionia e këtij sezoni? As vetë Bledar Gjeçaj nuk është në gjendje t’i japë një përgjigje të sinqertë ndonëse zemra i thotë për skuadrën e tij. Kjo ngaqë, trajneri i kuqebluve është i mendimit se ky aktuali do të jetë kampionati më i fortë i gjithë këtyre viteve të fundit dhe nuk është shumë e qartë se kush do ta fitojë.

“Kishte vite e vite që nuk ka patur një rivalitet të tillë. Zakonisht ka patur një apo dy ekipe pretendente, sivjet janë tre, njëri secili më i fortë se tjetri. Tirana dihet që me buxhetin e këtij sezoni, është e blinduar në përbërje. Teuta ka marrë dhe mesa di unë, do të marrë edhe lojtarë të tjerë, madje edhe trajner të huaj. Po ashtu edhe Vllaznia me lëvizjet e fundit që bëri, dëshiron të luftojë sërish. Besoj se do të jetë bukur për kampionatin. Të shpresojmë edhe për tifozët. Në Shkodër dihet se ata janë të zjarrtë dhe madje shpeshherë nuk ka vend për ta në pallat të sportit. Edhe Durrësi ka treguar se po rikthen tifozët dhe shpresojmë që e njëjta gjë të ndodhë edhe në Tiranë”- është shprehur Gjeçaj për “SHKODRA SPORT”. Ndërkohë trajneri i ekipit shkodran duke folur për ekipin e tij, ka vlerësuar blerjet e bëra që sipas tij, do të japin kontributin e duhur në skuadër. “Kemi marrë tre lojtarë amerikanë. Vërtetë ende nuk i dimë realisht vlerat e tyre por nga përvoja e mëparshme me lojtarë të këtij kontinenti, kemi treguar se gabimet e bëra me ta kanë qenë shumë të vogla në përzgjedhje. Problemi i vetëm është ambjentimi dhe përshtatja e tyre sa më e shpejtë me ambjentin, me skuadrën e gjithçka tjetër. Vllaznia lojtarëve të mëparshëm u ka shërbyer si trampolinë, Hogg ka shkuar të luajë në basketbollin anglez, Sarajlija në Gjeorgji e po ashtu edhe Corey. Gjithsesi për ne e rëndësishme është që lojtarët e sapomarrë të na shërbejnë njëherë për të siguruar titullin e katërt dhe pastaj secili sheh rrugën e vet”- thotë në fund ai.

© shkodrasport.com