Trajneri i mirënjohur i boksit Zef Gjoni mes shumë miqsh dhe të ftuarish, ka festuar mesditën e së shtunës 70 vjetorin e lindjes së tij. kishin ardhur për ta nderuar edhe shumë figura të njohura dhe jo vetëm ata të sportit por edhe të tjerë. Vetë Gjoni, në prononcimin e tij për mediat, nuk ka dashur kurrsesi të flasë për 70 vitet e jetës së tij por ka dashur të thotë se ndihet si 50 vjeç dhe ka premtuar se do jetë edhe për shumë vite të tjera pranë sportit të tij të dashur boksit, për t’i dhënë të tjera tituj e trofe Shkodrës dhe Vllaznisë.


 

“Jam i plotësuar për atë që kam arritur në karrierën time sportive por edhe në jetë. Megjithatë si 50 vjeçar që jam, besoj kam ende shumë për t’i dhënë Shkodrës dhe Shqipërisë, kryesisht në aktivitetet ndërkombëtare ku do të synojmë fitimin e medaljeve tashmë me boksierët tanë”- është shprehur ai. Ndërkohë, vlerësimet pozitive për Zef Gjonin nuk kanë munguar edhe nga Tirana, madje ka patur tituj mirënjohje edhe nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Federata e Boksit. Drejtuesit e këtyre institucioneve por edhe kryetarja e Bashkisë Shkodër, kanë shprehur vlerësimet e tyre maksimale për një figurë të tillë. “Zefit i uroj vetëm shëndet sepse duke pasë shëndet ky njeri do të vazhdojë ta bëjë ashtu siç duhet punën e tij për të na dhuruar të tjera suksese në sportin e tij”- ka deklaruar kryebashkiakja Ademi. Nga ana tjetër, presidenti i KOKSH-it Viron Bezhani, duke folur për protagonistin e kësaj feste ka thënë: “Rrallë kemi një figurë të tillë kaq të suksesshme në dy lloje të ndryshme sporti. Rinia e sotme e njeh Zef Gjonin si një trajner të suksessshëm boksi por të tjerët e dinë se ai ka qenë edhe një basketbollist i mirë në rininë e tij. Ky është një produkt i Shkodrës sportive që e ka nderuar vazhdimisht atë dhe madje besoj se do të vazhdojë ta nderojë edhe në të ardhmen”- ka thënë Bezhani. Edhe presidenti i Federatës Kalivopuli e ka vlerësuar Gjonin, i cili për shumë kënd është një mik i vështirë, por për të jo dhe prandaj thotë: “Miqtë që njeriu i zë me vështirësi, është ndoshta e vështirë t’i zësh miq por kur i zë pastaj, i ke miq të vërtetë për gjithë jetën dhe i tillë për mua është Zef Gjoni”. 70 vjetori i këtij trajneri në këtë mënyrë ka shërbyer për shumë gjëra. Mbi të gjitha, për të nderuar një njeri që i ka dhënë shumë sportit shkodran dhe atij shqiptar. “SHKODRA SPORT” me këtë rast, nuk i mbetet gjë tjetër veçse t’i uroj Zef Gjonit edhe 100 vite të tjera të lumtura!
© shkodrasport.com

Në foto presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit Florend Kalivopulli duke i dorëzuar çmimin “Skanderbeg” trajnerit Zef Gjoni me rastin e 70 vjetorit të lindjes së tij.