Takimi Vllaznia- Kukësi do të hapë zyrtarisht ndeshjet e futbollit shqiptar për vitin 2017. kështu ka vendosur Federata Shqiptare e Futbollit dhe për rrjedhojë ky ballafaqim do të luhet të premten e ardhshme më datë 27 janar në stadiumin “Loro Boriçi”. Ka ndodhur kështu, ngaqë institucioni i futbollit shqiptar duke dashur të ndjekë shembullimin e kampionateve më të forta të Europës, takimin e parë hapës të kampionatit e nis me skuadrën kryesuese dhe për momentin ajo është Kukësi.

Për t’u parë mbetet vetëm orari i zhvillimit të kësaj përballje sepse Federata ka caktuar orën 18.00 për nisjen e saj por temperaturat e ulëta që po mbizotërojnë në Shkodër mund të jenë një arsye që ky orar të ndryshojë në ditët e ardhshme. Pavarësisht kësaj, skuadra e Vllaznisë duhet të bëhet gati për këtë takim dhe t’i japë dorën e fundit përgatitjes fizike dhe taktike. Ndërkohë, mësohet se ditën e nesërme, kuqeblutë përballjen e planifikuar me ekipin e Besëlidhjes, do ta luajnë jo në Shkodër por në Lezhë. Arsyeja është se stafi teknik ka kërkuar një ndeshje në një fushë me bar natyral dhe prandaj është parë e arsyeshme që ajo të mos luhet në “Reshit Rusi”. Miqësorja me lezhjanët do të nisë në orën 13.30. Kjo do të jetë e fundit përgatitore në prag të takimit me Kukësin sepse më pas Vllaznia nuk do të ketë më kohë për të marrë frymë. Vetëm katër ditë pas ndeshjes me Kukësin, do të presë sërish në Shkodër ekipin e Teutës së Durrësit. Këtë herë në takimin e vlefshëm për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Fundjavën e parë të shkurtit pastaj, sërish një tjetër përballje e fortë , atë me Partizanin për kampionat. Për këtë arsye, trajneri Cungu ka ngritur zërin për një seriozitet në punë sepse gjysma e dytë e sezonit do të jetë shumë e vështirë.