Vllaznia në basketboll për meshkuj ka fituar me rezultatin 81 me 80 ndeshjen miqësore të luajtur pasditen e së enjtes në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ndaj ekipit kosovar Ylli të Suharekës. Ky ka qenë takimi i parë miqësor për ekipin shkodran në prag të nisjes së fazës së dytë të kampionatit dhe është ndjekur me interes nga një numër i konsiderueshëm tifozësh.

Natyrisht që me interes pritej prezantimi i tre basketbollistëve amerikanë në rradhët e Vllaznisë por në fushë në fakt kanë qenë shtatë të tillë sepse edhe në rradhët e ekipit kosovar luanin katër të tillë. Ndeshja është shoqëruar me shumë rivalitet dhe vetëm dy gjuajtjet e lira të kapitenit Berdica në sekondat e fundit të ndeshjes, i kanë dhënë fitoren shkodranëve. Trajneri Bledar Gjeçaj pas ndeshjes është shprehur përgjithësisht i kënaqur me formën e treguar nga ekipi dhe po ashtu edhe për lojën e amerikanëve. Në ditët e ardhshme, drejtuesit e Vllaznisë kanë ndër mend të organizojnë edhe të tjera miqësore në mënyrë që ekipi të bëhet gati për ndeshjen e parë të kampionatit që pritet të nisë më 4 shkurt, gjithnjë nëse Federata nuk merr ndonjë vendim për shtyrjen e tij.