Gjelbrim Taipi e cilëson normale një pikë përballë Vllaznisë. Kapiteni i Kukësit foli në “Gol pas Goli” në Supersport rreth barazimit pa gola kundër skuadrës shkodrane, ku ndër të tjera tha:

“Kemi bërë ndeshje shumë të mira, kemi krijuar shumë raste, por kundërshtarët e kanë kuptuar lojën dhe tonë dhe po na presin. Kemi pësuar shumë gola, lojtarët janë nën presion psikologjik, dhe sot luajtëm me planin B kundër Vllaznisë, që di të luajë dhe bën presing lart.

Dhamë 100%, luftuam dhe ndihmuam njëri-tjetrin, edhe pse nuk luajtëm lojën tonë. Mendoj se ne dhe Vllaznia, duke mos harruar edhe Tiranën, kemi treguar se dimë të luajmë futboll. Kemi lojtarë cilësorë, të cilët dinë të shënojnë gola. E meritojmë të shkojmë në Europë, ne edhe Vllaznia.

Jemi në pozitë të tretë, kemi bërë më shumë gola se Vllaznia. Vllaznia ka golavarazh më të mirë? Ok, ndeshjet direkte janë më mirë për ne. Pas ndeshjes me Partizanin jemi munduar të punojmë më shumë në fazën mbrojtëse, pasi kemi krijuar shumë lart, por kemi harruar të mbrojmë. Kemi lënë hapësira dhe kemi pësuar shumë gola. Në javët e ardhshme do të përmirësohemi në të dy fazat e lojës.

Goditja në sekondat e fundit? Kisha goditjet këndore, gjysmëfuallet, e bëra një goditje. Milunovic kishte besim se do shënonte, prandaj e lejova të gjuante, por edhe pse ai gjuan shumë mirë”, përfundoi Taipi.