Që në fillim të përgatitjeve të këtij sezoni, ai ka qenë pranë skuadrës. Herë më afër dhe herë më larg megjithatë Nikoll Gjergji është gjithnjë present pranë Vllaznisë. Ish-futbollisti kuqeblu I viteve ’50- ’60, vazhdon të jetë aktiv si trajner me moshat por nuk mund të qëndrojë larg skuadrës së tij të zemrës. E ka ndjekur edhe në ndeshjen e fundit me Flamurtarin dhe natyrisht që është çuditur nga mënyra si kanë rrjedhur ngjarjet në këtë ndeshje. “Ka qenë një takim që na dhuroi shumë emocione për mënyrën si shkoi loja por të them të drejtën, kam mbetur I zhgënjyer nga mënyra si skuadrat u paraqitën në këtë ndeshje. Ata kanë treguar shumë dobësi.

Duke filluar nga Vllaznia dhe trajneri Duro që e nisin ndeshjen pa asnjë sulmues të mirëfilltë. Kjo është e papranueshme për këtë skuadër. vërtetë sulmuesit mund të kenë shfaqur probleme deri tani por ishte pikërisht ai Rexha që u shfaq si protagonist kur u aktivizua në pjesën e dytë. Rezultati 3-0 në favor të Flamurtarit ishte I paimagjinueshëm ndoshta edhe për vetë vlonjatët por edhe ata mendoj se gabuan në menaxhimin e situatës, çka I dha zemër Vllaznisë e cila ia doli të barazonte”- ka thënë specialisti Gjergji. Skuadra shkodrane nuk ndodhet në pozita të mira në renditje teksa ka treguar jo pak oshilacione në lojën e saj. Këto oshilacione I ka evidentuar edhe specialisti në fjalë, që është ndalur më mënyrë në një analizë teknike të skuadrës kur ka thënë: “Vllaznia ka gabuar jo pak në këtë kampionat. Arriti të ngjitej deri në vendin e dytë por nuk diti ta mbajë dhe pastaj të eliminohet nga kupa dhe po ashtu, në kampionat është në vendin e shtatë. Një përgjegjësi e madhe e këtyre lojtarëve por edhe e trajnerit sepse janë bërë 12 blerje dhe shumë prej tyre nuk po rezultojnë efikase. Kam dëgjuar se Duro kërkon lojtarë të tjerë në merkaton e janarit. Sigurisht që është e drejtë e tij të kërkojë, por duhet ditur se ku do shkojnë këta lojtarë që kanë rezultuar të pavlefshëm. Unë gjykoj se ka patur jo pak gabime edhe në lojën e skuadrës. Edhe në ndeshjen me Flamurtarin, u gabua jo pak. Madje sërish në qendër të mbrojtjes, aty ku kemi edhe lojtarë me shumë përvojë. Megjithatë kjo nuk vlejti sepse pësuam gola amatoresk. Po ashtu, skuadra ka patur gjithnjë mangësi në sulm e përveç kësaj, nuk ka funksionuar në asnjë ndeshje thuajse mesfusha ashtu siç duhet. Vllaznia ka luajtur futboll ashtu siç duhet vetëm me një periudhë disaminutëshe në disa ndeshje, siç ndodhi edhe në 30 minutat e fundit me Flamurtarin”. Rreth trajnerit Shpëtim Duro ka filluar të ketë jo pak presion në këto ndeshjet e fundit. Flitet edhe për largim të tij megjithatë duhet luajtur edhe ndeshja e fundit e fazës së parë, ajo me Kastriotin dhe pastaj, në analizën që do zhvillohet, do diskutohet për shumë gjëra. Ndër të tjera edhe për të ardhmen e trajnerit. Nikoll Gjergji, një nga njerëzit që në qershor ka votuar “pro” kandidaturës së trajnerit aktual të Vllaznisë, ka një mendim të tillë për këtë çështje duke thënë: “Vllaznia kam shumë besim se do mundet të përsërisë 30 minutat e fundit të ndeshjes me Flamurtarin dhe nëse do ta bëjë këtë gjë, jam I bindur se do fitojmë në Krujë. Nëse nuk ndodh kjo por Vllaznia humbet, ajo rrezikon ta mbyllë fazën e parë në vendin e nëntë në renditje. Kjo do ishte e pafalshme dhe nëse do ndodhte kështu, trajneri Duro duhej të japë vetë dorëheqjen dhe të largohet. Unë kam qenë njëri nga ato njerëz që e kemi votuar për të qenë ai trajner I Vllaznisë. Kemi pëlqyer karrierën e tij të deritanishme si trajner, seriozitetin dhe përkushtimin e tij në punë por në fund ata që vendosin janë rezultatet. Vendi I nëntë do të ishte I papranueshëm për këtë skuadër prandaj dhe ndryshimet në pankinë do ishin të logjikshme megjithatë unë besoj tek suksesi me Kastriotin”.
Gjergj KOLA