Këtë periudhë, por vitin e kaluar, Gjermania ishte kampione bote, e renditur e para nga FIFA në gjithë globin. Ajo konsiderohej gjerësisht si favorite për ta mbrojtur kurorën edhe në Botërorin e Rusi së, gjatë verës së këtij viti.

Kanë kaluar 12 muaj dhe reputacioni i gjermanëve si mbretërit e futbollit është në zgrip. Ata jo vetëm dështuan të rifitojnë Kupën e Botës, por u eliminuan turpshëm që në fazat e grupit, pas humbjeve me Meksikën dhe Korenë e Jugut.

Tani, në Ligën e Kombeve, Gjermania e ka shpërdoruar besimin karshi saj edhe një herë, pa fitore në të tria ndeshjet e deritanishme. Për pasojë, ka zbritur në nivelin e dytë nga Grupi A1, në rivalitetin që pati me Francën dhe Holandën.

Fatmirësisht, fundi i vitit 2018 është një moment reflektimi për skuadrën e Joachim Low, e cila në janar duhet ta kthejë vëmendjen në fushatën kualifikuese për Kampionatin Europian 2020.

Portokallinjtë e Ronald Koeman janë kundërshtarët e fundit të gjermanëve në Ligën e Kombeve. Holandezët duken të vendosur të shkruajnë historinë e tyre të vogël. Duke dështuar në kualifikimin për Kupën e Botës së Rusisë, Holanda duket e vendosur të tregojë veten në kompeticionin më të ri të UEFA-s.

Fitorja e javës së kaluar ndaj Francës i ka vënë “tulipanët” në prag të arritjes së finaleve të Ligës së Kombeve të vitit të ardhshëm. Ish-trajneri i Evertonit përfaqëson një kthesë të rëndësishme në fatin e kësaj kombëtareje, pasi zëvendësoi Dick Advocat në shkurt.

Në një kuptim, të dyja skuadrat kanë gjithçka për të luajtur dhe asgjë nuk ka mbetur për t’u humbur në ndeshjen e tyre përfundimtare të një viti kalendarik, me paraqitje të kundërta. Pas zhgënjimit në Kupën e Botës së kësaj vere, Gjermania e nisi shumë keq edhe Ligën e Kombeve, kundër Francës, ekip i cili e zëvendësoi atë si kampione e re e botës.

Edhe Holanda vetëm e përkeqësoi situatën e gjermanëve, me fitoren e papritur 2-0 ndaj tyre. Tani, ish-kampionët e botës e gjejnë veten në Ligën B për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.

Skuadra e drejtuar nga Ronald Koeman ka ende mundësi të kualifikohet për fazën finale të kompeticionit në fjalë, me një fitore, ose barazim, përkundër shanseve, por a do të triumfojë në “Gelsenkirchen” sonte? Kjo mbetet të shihet.

Gjermanëve u mungon Sami Khedira, pas lëndimit në skuadrën e tij. Nga ana tjetër, Marco Reus, megjithatë, është në linjë për t’u rikthyer në formacionin fillestar.
Formacioni i mundshëm i Gjermanisë: Neuer; Ginter, Sule, Rudiger; Kimmich, Kroos, Havertz, Schulz; Reus, Gnabry, Sane.

Trajneri i portokallinjve, Koeman, ka mbetur i befasuar dhe i kënaqur nga suksesi i fundit i të tijve ndaj kampionëve të botës. Duke mos pasur dëmtime, pritet ta nisë me formacionin që hodhi në fushë nga fillimi të premten, në fitoren 2-0 ndaj Francës. Kjo do të thotë Memphis Depay do ta udhëheqë sulmin edhe një herë, me Quincy Promes, si rezervë, në stol.
Formacioni i mundshëm i Holandës: Cillessen; Dumfries, De Ligt, Van Dijk, Blind; De Roon, De Jong; Bergwijn, Wijnaldum, Babel; Depay./telesport/