Largimi i Mats Humels, Zherom Boateng dhe Tomas Myler nga përfaqësuesja gjermane vetëm pak ditë para grumbullimi të kësaj kombëtareje për eliminatoret e Europianit ka shkaktuar jo pak polemika, me futbollistët e pakënaqur me mënyrën se si Lëv i kishte trajtuar.

Por nëse trajneri vendoi t’i largonte nga ekipi i tij në mënyrë të prerë, Federata Gjermane duke iu trembur një tjetër reagimi të tifozëve pas vitit të errët 2018, ka vendosur që të ndihmoj tifozerinë që t’i përshëndeste si duhej tre Kampionët e Botës.

Para ndeshjes së sotme miqësore kundër Serbisë në stadiumin e Volfsburgut, një prej tribunave pas porte shpalosi një koreografi gjigante që u kushtohej atyre.

“Faleminderit” ishte fjala që shkruhej në këtë koreografi, e shoqëruar me numrat 5, 13 dhe 17 që kanë mbajtur tre lojtarët në përfaqësuese. Ndërkohë, aty ishin edhe emrat e tyre Mats, Tomas dhe Zherom. Një lamtumirë mëse e merituar për ata që bënë historinë me këtë ekip. /vipsport/