Humbjen e Kukësit ndaj Skënderbeut në Korçë nuk e ka kapërdirë aspak presidenti i klubit verilindor, Safet Gjici. Ai është parë tejet i revoltuar thuajse gjatë gjithë ndeshjes.
Përveç cigareve të shumta që ka konsumuar në krah të presidentit të Skënderbeut, Ardjan Takaj, numri një i klubit verilindor është parë në pushim të ndeshjes të zbresë në dhomat e zhveshjes, duke u kërkuar llogari lojtarëve për lojën aspak bindëse që po bënin.
Në kushte të tilla, trajneri Armando Cungu ka pritur jashtë dhomave të zhveshjes, derisa Gjici të mbaronte fjalimin me lojtarët dhe më pas është futur për të dhënë udhëzimet e veta. Gjithsesi, as karikimi i Gjicit nuk i ka mjaftuar Kukësit për të kthyer rezultatin ndaj Skënderbeut, që luajti për shumë minuta me 10 lojtarë.
Kjo ka bërë që presidenti, me përfundimin e ndeshjes, të largohet menjëherë nga stadiumi i Korçës. “Panorama Sport” i kërkoi një mendim kreut të klubit për këtë humbje, por edhe pse Gjici reflektonte mërzinë, ka mohuar daljen nga objektivat të ekipit të tij.
“Kukësi im nuk del nga objektivat, natën e mirë!” tha shkurtimisht Gjici. I pyetur se çfarë po ndodh me ekipin, ai ka kthyer sërish përgjigje të prerë: “Asgjë nuk po ndodh, edhe një herë natën e mirë”, – ishin të vetmet fjalë që Gjici ka thënë pas ndeshjes.
Ai kërkoi nga skuadra katër fitore radhazi, por gjithsesi Kukësi mposhti vetëm Kamzën dhe Luftëtarin, ndërsa dje u ndal në provën e së vërtetës.