Mario Gëtce është kthyer në objektivin e radhës të klubit të Milanit. Futbollisti i cili me golin e tij i dha Kupën e Botës Gjermanisë në vitin 2014, duket se është kthyer përsëri në formë të mirë në këto vite në Holandë me fanellën e PSV Eindhoven dhe për këtë arsye, kuqezinjtë po e shohin me shumë interes.

Mediat gjermane kanë bërë të ditur se futbollisti ka një kontratë deri në verën e vitit 2024 me holandezët, por vështirë se do ta ccojë deri në fund atë, pasi kërkon një tjetër aventurë të fundit të rëndësishme për karrierën e tij. Sipas versionit gjerman të “Goal.com”, ai shihet si zgjidhje ideale te Milani, klub të cilit i duhet që para fundit të këtij muaji të paguajë klauzolën e tij.

Bëhet fjalë për një shifër shumë të ulët, rreth 4-5 milionë euro dhe kështu Gëtce mund të shkëputet pa probleme nga radhët e PSV Eindhoven.

Në këtë mënyrë, Pioli do të kishte një alternativë me cilësi dhe me shumë eksperiencë në radhët e skuadrës së tij sa i përket rolit të regjisorit apo për ta përdorur si sulmues të dytë.