Vllaznia pësoi një humbje befasuese ditën e djeshme, duke u mundur 2-1 nga Labëria në Kupën e Shqipërisë. “Panorama Sport” ju sjell pikantet e ndeshjes së djeshme.

* Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, qëndroi gjatë gjithë kohës ulur pranë pankinës së skuadrës së tij. Pas ndeshjes, ai është larguar i mërzitur, ndërsa nuk ka pranuar të japë një koment për ndeshjen.

* Labëria duket se kishte dje fatsjellës presidentin e klubit, Elton Lalaj. Ai kishte ardhur nga Amerika, aty ku jeton me bashkëfinancuesit e tjerë të klubit, për të ndjekur Labërinë kundër Vllaznisë.

* Administratorja e Labërisë, Liljana Meço, i kishte premtuar ekipit premio në rast fitoreje. Pas ndeshjes futbollistët u shpërblyen.

* “Çmendet” Tomas Brdariç. Trajneri i Vllaznisë, teksa luhej minuta e 77-të, u tërhoqi lojtarëve vëmendjen, duke u folur në shqip: “Çuna, lojë…”. Ndërkohë, në momentin që arbitri vërshëlleu përfundimin e lojës, ai u fut në fushë dhe i kërkoi llogari kryesorit, teksa pretendonte se e kishte mbyllur para kohe ndeshjen. Brdariç shkoi i mërzitur drejt dhomave të zhveshjes.

* Të shumtë ishin tifozët që ndoqën ndeshjen në kompleksin “Labëria”, ndërsa masat ishin maksimale, edhe me prezencë të forcave policore.