Safet Gjici ndihet shumë i nervozuar me trajnerët e huaj që vijnë në Shqipëri, ku një ndër këta ish-trajnerë është edhe ai që ishte së fundmi te ekipi i tij i Kukësit, Diego Longo.
Në një reagim të tij, Safet Gjici, foli edhe për ish-trajnerin e Vllaznisë, Thomas Brdariç, duke nënkuptuar se në Shqipëri bëjnë gabimin më të madh që i japin besim trajnerëve të huaj, që sipas tij nuk e meritojnë. Gjici përmendi në tërësi trajnerët e huaj, që shpesh krijojnë alibi për mungesën e rezultateve, teksa dy ndër këta trajnerë sipas tij, janë Diego Longo dhe Thomas Brdariç.
Gjici u shpreh për Brdariç se kur ishte mirë Vllaznia vjet, nuk foli për fushat, por sivjet që nuk ishte mirë foli për fusha patatesh. Ai theksoi se këta trajnerë, si Longo dhe Brdariç janë mbledhës topash në vendet e tyre.
“E patë ju edhe trajnerin e Vllaznisë, Brdariç çfarë bëri. Kur ishte mirë Vllaznia vjet, nuk foli për fushat, sivjet që nuk ishte mirë foli për fusha patatesh.
Këta trajnerë, Longo dhe Brdariç, do të na tregojnë ne stadiume me standarte europiane. Të jenë trajnerë këta me emër në Europë dhe të thuash hajde se po kërkojnë kushte, por këta janë mbledhës topash.
Në vend që t’i kërkojnë falje klubit, që bënë gjithë atë dështim kur klubi ka shpenzuar shumë, por tallen me deklarata”,-tha gjatë prononcimit të tij, presidenti i nderit të Kukësit, Safet Gjici.
Maringlen ZHIVANI