“A jeni gati? Po vijmë në shtëpi!” Është ky mesazhi i klubit të Kukësit për të gjithë tifozët e skuadrës verilindore. Më në fund ka një lajm të mirë: rikthimi në shtëpi. Është vendosur që ndeshja me Laçin të luhet në “Kukës Arena”, pikërisht ditën e shtunë në orën 20:00. Ka qenë vetë klubi verilindor që ka konfirmuar ditën e inaugurimit të stadiumit pas tri sezonesh shtegtim.
Në këtë ndeshje, klubi pret një pjesëmarrje sa më të lartë tifozësh, për më tepër që luhet përballë Laçit, një skuadër direkte në zonën europiane. Hyrja për këtë ndeshje do të jetë falas për tifozët, ndërsa burime në klub pohojnë se do të ketë edhe një koncert para ndeshjes, duke e kthyer në një ditë feste për investimin madhështor që është bërë me stadiumin.
EDHE NJË SHANS PËR TRAJNERIN – Humbja e fundit ndaj Kastriotit e fut zyrtarisht në krizë Kukësin, pavarësisht se është duke ruajtur me fanatizëm vendin e tretë dhe vijon të jetë brenda objektivave. Ndaj krutanëve u bë sfida e katërt radhazi që verilindorët nuk dalin me pikë të plota, teksa nga 12 të mundshme, kanë marrë vetëm tri, duke konfirmuar se situata në kampin kuksian nuk është aspak e qetë. Në një moment të tillë, pankina e Diego Longos vihet në rrezik, duke parë edhe paralajmërimin e Safet Gjicit para ndeshjes me Kastriotin, ku Europa është kthyer në një detyrim.
I pari që e pëson, kur rezultatet nuk vijnë në skuadër, është gjithnjë trajneri, por deri më tani, pavarësisht një ecurie negative, ku numërojnë vetëm një fitore në nëntë ndeshjet e fundit, atë me Dinamon, Gjici është munduar të mos ndërhyjë në skuadër. Mirëpo, humbja ndaj Kastriotit nuk është përtypur lehtë, sepse ka vënë seriozisht në rrezik Europën, çka do të nënkuptonte edhe miliona lekë dëm për këtë sezon. Burime të besueshme të gazetës pranë drejtuesve pohojnë se Longos dhe stafit do t’u jepet edhe një shans i fundit me Laçin për të bërë kthesën, edhe për faktin se do të luajnë në shtëpinë e tyre.
Nëse nuk arrijnë të fitojnë as përballë publikut kuksian, atëherë me shumë gjasa rrugët e Kukësit me teknikun italian do të mbyllen pa përfunduar ende kampionati. Deri më tani në dy raste kur gjërat nuk kanë shkuar si duhet, ka qenë vetë Longo që ka nënkuptuar dorëheqjen, por ndeshja me Laçin pritet të jetë vërtet vendimtare, jo vetëm për fatet e tij, por dhe të Kukësit në Europë, edhe pse në klasifikim kjo skuadër mund të vazhdojë të mbajë vendin e tretë.
NERVOZIZMI NË SFIDËN E FUNDIT – Për të treguar më së miri situatën që po kalon Kukësi, e tregon nervozizmi i vetë teknikut apo lojtarëve në ndeshjet e fundit, me skuadrën që nuk po del dot nga kriza. Shpesh nuk kanë munguar ankimet për gjykimin, si edhe evitohet rregullisht prej javësh dalja në media, duke anashkaluar problemet që po kalon skuadra dhe ngërçet ku ka ngecur. Mësohet se një situatë kjo që nuk i ka pëlqyer edhe vetë presidentit Gjici, i cili deri më tani është treguar i duruar, duke pritur që rezultatet të vijnë vetë.