Berat Gjimshiti dhe Etrit Berisha do të luajnë në Champions League sezonin e ardhshëm. Një arritje historije për dy lojtarët e kombëtares shqiptare te Atalanta, sidomos për mbrojtësin i cili ka luajtur si titullar në ndeshjet e fundit të sezonit dhe më vendimtaret për klubin nga Bergamo.

Pas fitores 3-1 me Sassuolon, Atalanta siguroi vendin e tretë në renditje në ndeshjen e fundit të Serie A, duke ndarë në mënyrë indirekte në dysh Milanon. Në “parajsë” ka shkuar pjesa zikaltër e qytetit, pasi Interi ka mundur Empolin mes shumë drithërimash duke siguruar edhe vendin e katërt, ndërsa Milani zbret në “ferr”, pavarësisht fitores në fushën e Spal, duke e mbyllur në vend të pestë.

Për skuadrën e Gattusos nuk mjaftoi “sprinti” final me katër fitore, për të siguruar një vend në europën e rëndësishme dhe tashmë dhe do të duhet të kënaqet me pjesëmarrjen në Europa League.

Fitorja më e vuajtur ishte pa dyshim ajo e Inter, që erdhi vetëm 9 minuta nga fundi, falë një goditje të saktë të Nainggolan, pasi më parë Mauro Icardi kishte humbur një penallti vendimtare./a2cnn/