Pavarësisht se objek tivi kryesor i Vllaznisë (rikthimi në Superiore) u realizua, humbja në finalen e titullit kampion me Bylisin ka nxjerrë probleme te shkodranët që do të luajnë në elitë në kampionatin e ardhshëm. Drejtuesit e klubit, pas këtij takimi kanë nxjerrë mësimet për sa i përket skuadrës që do të garojë në sezonin e ardhshëm në Superiore.

Drejtuesit mësohet se kanë nisur nga projektet e tyre për këtë qëllim dhe po punon edhe dyshja Lici-Firat. Ajo që bëhet e ditur është se drejtuesit e klubit ende nuk kanë nisur punë për të përcaktuar se cilët prej lojtarëve aktualë do të jenë pjesë e Vllaznisë. Nga sa mësohet, shumë prej lojtarëve aktualë u përfundon kontrata në fund të këtij muaji dhe për më tepër, drejtuesit nuk kanë ndërmarrë një vendim se kush do të jenë ata që stafi do të ketë në preferencat e tij.

Pak ditë më parë, administratori Lici deklaroi se do të presë relacione nga stafi teknik për të vendosur lojtarët me të cilët duhet të hyjnë në bisedime për t’i mbajtur për sezonin e ardhshëm. Mesa duket, do të jenë pikërisht këta që do të vendosin për aspektin sportiv për çdo lojtar. Por një gjë e tillë pritet të ndodhë shumë shpejt, pasi kalimi i ditëve mund të vështirësojë jo pak edhe bërjen e Vllaznisë, sepse siç dihet pjesës dërrmuese të lojtarëve u përfundon kontrata.

LOJTARËT
Me përjashtim të disa lojtarëve të rinj, kontratat e lojtarëve të tjerë përfundojnë në fund të majit. Bëhet e ditur se të huajve, futbollistëve jo shkodranë dhe një pjese tjetër të titullarëve, u përfundon kontrata. Janë gjashtë lojtarë jabanxhinj dhe pesë shkodranë, të cilët janë të lirë dhe mund të largohen nga ekipi.

Gazeta “Panorama Sport” ka mësuar edhe emrat e lojtarëve që do të largohen. Tre lojtarët e huaj, Dan Ignat, Xhunior dhe Eziamaka, nuk kanë më kontratë me Vllazninë dhe është e vështirë që të qëndrojnë sërish me këtë ekip. Gjithashtu, u kanë përfunduar kontratat edhe një pjese të titullarëve si Lika, Tafili, Hajdari, Malota dhe Gocaj. Ndërsa Dejvi Bilali dhe Valdo Zeqaj e kanë lajmëruar largimin e tyre nga skuadra gjatë dy ditëve të fundit.

Në kushte të tilla, Vllaznia e sezonit të ri duhet ribërë nga e para. Prandaj, drejtuesit e klubit duhet që të saktësojnë dhe të fillojnë ndërtimin e skuadrës nga lojtarët aktualë. Madje, duke nisur nga konfirmimi i stafit aktual. Gjithsesi, e ardhmja e Vllaznisë varet shumë edhe nga zgjedhjet për bashkinë, që pritet të zhvillohen në fund të qershorit. Dihet se klubi shkodran është në varësinë e plotë të bashkisë./PANORAMASPORT/