Nga Endri ÇINARI
Një tjetër ndeshje çerekfinale e kupës së Shqipërisë që zhvillohet ditën e sotme është ajo mes Tiranës dhe Teutës. Dueli i kthimit që do luhet në kryeqytet, ku ndeshja e parë ka përfunduar në shifrat 0-0. Duke lënë kështu gjithçka të hapur në këtë çift.
Në një duel dysh ku Tirana dukej favorite tashmë asgjë nuk është e sigurtë. Kjo duke parë formën aspak pozitive të bardhebluve. Të cilët së fundmi kanë ndërruar edhe trajnerin, duke larguar Ahmatajn dhe duke afruar Fagun. Një sezon i cili po shkon drejt “greminës” për kryqytetasit, të cilët edhe në kampionat momentalisht janë jashtë katërshes së parë.
Një formë më pozitive për momentin po kalon Teuta, që në kampionat në 4 javët e fundit ka 2 fitore dhe 2 barazime. Duke e lënë kështu dyshen e fundit të renditjes dhe aktualisht bregdetarët janë në vendin e 8-të. Pozicion që të dërgon në Play Out në fund të edicionit. Megjithatë siç e kanë theksuar edhe në media, durrsakët kanë ambicie për të ecur sa më shumë në kupë.
Dhe mundësitë aktualisht janë duke parë edhe ndeshjen që do kenë sot, ku çdo gjë është e hapur për kualifikimin. E për Martinin mund të jetë momenti që të “hedhë në erë” sezonin e Tiranës. Trajneri shkodran e ka treguar shpesh në sezonet e fundit që është një ekspert për të mposhtur Tiranën. Dhe sot mund të ketë suksesin e rradhës ndaj rekordmenëve të futbollit tonë./www.shkodrasport.com/