Pasditen e sotme në Ballsh do luhet ndeshja e vlefshme për javën e 21-të e kampionatit të Superligës në mes ekipeve të Bylisit dhe Vllaznisë dhe interesant në këtë pragndeshje është fakti se trajneri aktual i skuadrës ballshiote Naxhi Shensoj, ka shprehur hapur dëshirën e tij për të drejtuar Vllazninë në sezonin e ardhshëm. Përmes menaxherit të tij, ai ka ndërhyrë tek drejtuesit shkodranë për ta hedhur si kandidaturë edhe emrin e tij. Kuptohet që të jesh trajner i Vllaznisë për të është kënaqësi. Menaxheri i tij, ish-futbollisti i Vllaznisë Erkan Sulejmani, ka kohë që ngulmon për këtë lëvizje. Emri i trajnerit me origjinë turke të lindur në Prizren të Kosovës tashmë është në tavolinën e drejtuesve kuqeblu që duhet të vendosin me shumë qetësi për njeriun që do drejtojë skuadrën e tyre në sezonin e ardhshëm. Përveç Shensojit, ka edhe shumë trajnerë të tjerë që janë vetëofruar. Ndoshta sot meqë ndeshja luhet në Ballsh, trajneri aktual i Bylisit mund t’ua shprehë direkt dëshirën e tij drejtuevse të Vllaznisë të cilët natyrisht që nuk e kanë ndër mend të vendosin tani por po i bëjnë punët me shumë qetësi në mënyrë që të mos gabojnë në përzgjedhje.

www.shkodrasport.com