Në ambjentet sportive të boksit shqiptar, ka pakënaqësi sa I takon pozicionit të presidentit të kësaj Federate Shpëtim Çilotaj I cili ka kohë që është distancuar nga Federata dhe ky sport. Në kushte të tilla, pjestarë të klubeve të ndryshme sportive, kanë hartuar një peticion ku kërkojnë mbledhjen e Asamblesë dhe shkarkimin e presidentit Çilotaj. Sipas statutit të kësaj Federate, duhen firmat e 1/3 të anëtarëve të Asamblesë për të kërkuar mbledhjen e saj. Kjo gjë është bërë dhe peticioni me firmat përkatëse ka mbërritur në kryesinë e kësaj Federate tre ditë më parë. Tashmë mbetet vetëm thirrja nga ana e saj e Asamblesë që kësisoj do jetë zgjedhore.

Nëse shkarkohet presidenti aktual Shpëtim Çilotaj, atë mund ta zëvendësojë një emër tjetër. Më I mundshmi deri tani është biznesmeni Gjergj Leqejza. Presidenti aktual I ekipit të boksit të Vllaznisë, ka vite që është pranë këtij sporti dhe prandaj ka shprehur hapur dëshirën e tij për të qenë në krye në kësaj Federate. Ai ka një përvojë në këtë drejtim sepse pa vite më parë ka drejtuar me shumë sukses edhe Federatën Shqiptare të Volejbollit. Se çfarë do ndodhë, nëse do zgjidhet Leqejza në postin e presidentit të boksit apo jo, kjo mbetet për t’u parë në mbledhjen e Asamblesë së këtij sporti në ditët e ardhshme.

Gjergj KOLA