Kandidatja për anëtare e Komitetit Ekzekutiv në FSHF, Anila Basha, në emisionin “Skaner” në MCN TV, deklaroi se zgjedhjet në Federatë, do të zhvillohen më 2 mars, ashtu siç janë planifikuar.

Ajo deklaroi se gjatë kësaj periudhë, persona nga Partia Socialiste kanë ndërhyrë në futboll me presione. E pyetur nëse kryeministri Edi Rama ka ndërhyrë në zgjedhje, Basha u shpreh se numri 1 i qeverisë nuk i futet një beteje nëse nuk e fiton, por në këtë rast është shumë vonë.

“Retorika dhe debatet nuk janë shuar dhe nuk janë mbyllur, vazhdojnë në Gjykatë. Unë mendoj se zgjedhjet do të zhvillohen atëherë kur janë planifikuar, më 2 mars. Unë e shikoj një konflikt të hapur tashmë. Kemi një ndërhyrje të Veliajt në futboll, duke folur për shkak të aksioneve që ka te Tirana. Veliaj nuk e ka thënë publikisht se cilin kandidat mbështet, pavarësisht se ne kemi menduar se ai mbështet Dritan Shakohoxhën.

Deri tani ka shumë përfaqësues apo shumë delegatë, që kanë vajtur në dyert e policisë, për të dhënë deklarimet e tyre. Po krijohet një presion ndaj anëtarëve të futbollit.

Nuk dua të bie në hamendësimin, nëse ka ndërhyrë Edi Rama në zgjedhjet e FSHF, por që ka pasur ndërhyrje të përfaqësuesve të PS, këtë e konfirmoj. Kjo nuk është një risi për ne, pasi e njëjtë ka qenë edhe para 4 vitesh, kur kandidoi Bashkim Fino.

Nuk më duket ndonjë gjë e re. Kryeministri nuk i futet betejave nëse nuk i fiton, por kjo që po ndodh për futbollin, është shumë vonë. Janë vendosur rregullat e lojës dhe ishte vendosur kodi zgjedhor. Nuk besoj se kjo është një gjë e drejtpërdrejtë e Ramës.”