Para derbit të fundit, diferenca në krye të Serie A ishte 10 pikë dhe mund të shkonte në 13 në rast të një fitoreje të Interit. Megjithatë, triumfi i Milanit në përballjen e drejtpërdrejtë ndryshoi gjithçka. Diferenca u ngushtua në vetëm shtatë pikë dhe gara për titull u rihap plotësisht.
Pas fitores së kuqezinjve, tifozët e të dy kampeve kanë nisur të bëjnë llogaritë për javët e mbetura deri në raundin e 38-të të kampionatit. Çdo pikë tashmë mund të rezultojë vendimtare në luftën për titull.
Një skenar që ende diskutohet pak, për shkak të diferencës aktuale mes ekipeve, është barazimi në pikë në fund të sezonit. Në këtë rast, rregullorja e Serie A parashikon zhvillimin e një ndeshjeje “play-off” për të vendosur fituesin e titullit, një duel i vetëm që do të konsiderohej si “java e 39-të” e kampionatit.
Rregulli ka ndryshuar që nga sezoni i kaluar. Ndryshe nga më parë, ndeshja nuk do të zhvillohej në një fushë neutrale, por në stadiumin e ekipit që ka rezultatin më të mirë në përballjet direkte gjatë sezonit.
Në sezonin 2025/26 situata është e qartë. Milan ka fituar të dy derbit kundër Interit. Kjo do të thotë se, në rast barazimi në pikë në fund të kampionatit, play-off-i për titull do të luhej në San Siro, me Milanin në rolin e skuadrës pritëse.
Nëse dy skuadra përfundojnë me pikë të barabarta, vendi ku zhvillohet play-off-i përcaktohet sipas këtyre kritereve: rezultatet në përballjet direkte gjatë sezonit, diferenca e golave në përballjet direkte, diferenca e golave, numri i golave të shënuar në kampionat dhe shorti, në rast se të gjitha kriteret janë të barabarta.
Sezoni po shkon drejt fazës vendimtare. Një gjë është e sigurt: gara për Scudetto mes Milan dhe Inter premton emocione deri në sekondat e fundit të kampionatit.


