Tre ditë më parë ka spikatur një deklaratë e bërë nga ish- futbollisti i Vllaznisë Asim Gjokoviç që shprehte dëshirën e tij për të marrë drejtimin e kësaj skuadre.

Madje, ai premtonte se jo vetëm do ta ngjiste skuadrën shkodrane sërish në Superligë por ajo do të ishte e shkëputur 20 pikë nga rivalët.

Një deklaratë e tillë mund të ketë çuditur shumëkënd dhe padyshim që mund të jetë konsideruar një “shashkë” e lëshuar nga ai.

Por në fakt, Gjokoviç edhe sot përmes telefonit nga Tuzi i Malit të Zi ku jeton, e ka përsëritur të njëjtën gjë.

“Ndoshta shumëkush nuk e ka marrë seriozisht deklaratën time. Jam i bindur se mund t’ia dal. Kurrsesi nuk mund të besoj se Shkodra nuk ka lojtarë të talentuar.

Duke punuar fort me ta, kjo që kam thënë unë, është plotësisht e arritshme.

Nëse drejtuesit e klubit duan të më dëgjojnë e të mësojnë për projektin tim sesi mendoj ta rikthej Vllazninë, mjafton të më bëjnë një telefonatë dhe unë do të jem në Shkodër.

Do t’ua shpjegoj gjerësisht gjithçka që unë mendoj dhe pastaj le të vendosin si të duan.

Nuk e kam mendjen fare tek paratë. E kam thënë: nuk dua asnjë lekë nëse nuk arrij atë çfarë kam deklaruar.

Më dhemb shumë kur shoh Vllazninë të vuajë dhe dua të jap kontributin tim jo vetëm për ringritjen e saj në Superligë por për ta bërë pastaj atë pretendente edhe në mes ekipeve më të mira të kampionatit shqiptar”.
www.shkodrasport.com