Juventusi u urdhërua, këtë të mërkurë, t’i paguante 9.7 milionë euro Cristiano Ronaldos, pasi humbi gjyqin në gjykatë pas një padie të ngritur nga futbollisti portugez.

Përplasja mes palëve ka të bëjë me një marrëveshje fillestare sipas së cilës Ronaldo hoqi dorë nga tre muaj paga (me vlerë 19 milionë euro bruto) gjatë pandemisë, për të lehtësuar situatën financiare të klubit.

Sulmuesi argumentoi se duhet ta merrte këtë shumë në vitet në vijim, ndërsa “Zonja e Vjetër” e kuptoi se nuk ishte nënshkruar asnjë klauzolë që e detyronte ta bënte këtë.

Kështu, Cristiano Ronaldo fiton çështjen gjyqësore, duke përfituar jo 19 milionë euro, që kërkoi, por 9,7 milionë euro. CR7 veshi fanellën bardhezi midis 2018 dhe 2021.