Pak ditë më parë, u arrit akordi mes Milanit dhe Flamengos për transferimin e sulmuesit brazilian Lukas Paketa te kuqezinjtë. Mëngjesin e sotëm, pas një udhëtimi relativisht të gjatë, talenti ka mbërritur në Milano ku edhe ka thënë fjalët e tij të para si një futbollist i kuqezinjve.

I ndalur nga mediat në aeroport, Paketa është shprehur se Milanin e ka zgjedhur për shkak të historisë që ky klub ka. “Jam shumë i lumtur që jam në Milano. Kam zgjedhur Milanin, për historinë që përfaqëson kjo skuadër”, ishin fjalët e para të sulmuesit brazilian.

Ai pritet nesër të kryejë vizitat mjekësore dhe më pas të largohet sërish në drejtim të Brazilit për të kaluar disa ditë pushim, para se në javën e parë të janarit të nisë zyrtarisht aventurën si një futbollist i Milanit. /Erjon Allaraj-VipSport