Sunday, August 16, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLL - KATEGORIA E PAREVIDEO/ Flavio Fusha, talenti që po fiton terren te Besëlidhja, 18-vjeçari shënon...

VIDEO/ Flavio Fusha, talenti që po fiton terren te Besëlidhja, 18-vjeçari shënon edhe ndaj Partizanit

Shkruar nga Maringlen ZHIVANI

Besëlidhja zhvilloi ditën e premte një tjetër test të rëndësishëm në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri, këtë herë përballë Partizanit në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë. Edhe pse lezhjanët u mposhtën me rezultatin 3-2, ndeshja ishte një tjetër sinjal pozitiv për skuadrën e Elvis Plorit, ndërsa një nga emrat që tërhoqi vëmendjen ishte sulmuesi i ri Flavio Fusha.

18-vjeçari ishte protagonist i një prej momenteve më të rëndësishme të Besëlidhjes, duke shënuar golin e dytë të skuadrës në minutën e 41-të. Pas barazimit të Akansases, ishte pikërisht Fusha ai që i dha avantazhin përkohësisht lezhjanëve, duke e mbyllur pjesën e parë në favor të tyre me rezultatin 2-1.

Për Fushën, ky gol është një tjetër konfirmim i potencialit që ai mbart, pasi sulmuesi shkodran po kërkon të fitojë gjithnjë e më shumë hapësira në formacionin e Besëlidhjes. I gjatë 1.94 metra dhe me profil tipik të një “numri 9”, ai është një lojtar që mund t’i japë skuadrës prezencë dhe alternativë në repartin ofensiv.

Fusha u bashkua me Besëlidhjen pasi mbylli aventurën me Vllazninë, ku ishte aktivizuar me grupmoshat dhe ekipin B. Te skuadra lezhjane, ai po gjen një ambient ku mund të zhvillohet dhe të marrë minuta, ndërsa paraqitjet e fundit tregojnë se po kërkon të shfrytëzojë mundësitë që i jepen. Goli ndaj Partizanit nuk është i vetmi tregues i formës së tij gjatë kësaj vere. Fusha ka shënuar edhe në miqësoren ndaj Otrantit, ku Besëlidhja fitoi 3-1 dhe sulmuesi i ri realizoi golin e parë të takimit në minutën e 27-të.

Në këtë mënyrë, Fusha po shfaqet gradualisht si një nga elementët interesantë të projektit të Besëlidhjes. Në një skuadër që synon të bëjë një sezon të rëndësishëm dhe të luftojë për ngjitjen në Abissnet Superiore, performanca e një sulmuesi vetëm 18-vjeçar mund të jetë një nga pikat më interesante për t’u ndjekur. Me golat dhe minutat që po merr në këtë fazë përgatitore, Flavio Fusha po jep sinjale se nuk dëshiron të jetë thjesht një talent për të ardhmen, por një alternativë konkrete për sulmin e Besëlidhjes në sezonin e ri.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments