Belajdi Pusi, pa dyshim ishte promotori i fitores së Skënderbeut në Ballsh. U duk sikur ishte në hije, por në momentin më deciziv, edhe pse jo në rolin e tij, atë të sulmuesit, por i spostuar disi më pas, e tregoi veten dhe atë që di të bëj më mirë.

Pusi realizoi një eurogol, duke shtangur vendasit e duke i hapur kështu rrugë një fitore të madhe të Skënderbeut në Ballsh. Pusi në intervistën e dhënë pas ndeshjes për “Panorama Sport” tregon emocionet e golit, dedikimin, si dhe synimet që ai ka këtë sezon në aspektin personal dhe me Skënderbeun…

Kujt ia dedikuat atë gol, sepse u patë që shkuat me vrap te kamera e pranishme në stadium?

Ia kam dedikuar babait dhe gjyshit tim. Më kanë mbështetur dhe ua kisha premtuar që kur të shënoj do t’ua dedikoj atyre. Ndodhi në Ballsh, ndaj edhe festova në atë mënyrë. Ata po më ndiqnin nga televizori ndaj edhe dedikimi ishte enkas për ta…


Shënuat një gol të bukur, “alla-Del Piero”, që veç të tjerash gatoi edhe fitoren e Skënderbeut. Ishte rastësi apo e keni bërë edhe më parë?

Po, ishte gol shumë i bukur. E kam parë edhe më pas, por edhe më kanë marrë në telefon dhe më kanë uruar shumë. Unë kam shënuar edhe gola të atillë me moshat në Shkodër. Por për koincidencë, në stërvitjen e ditës para ndeshjes, unë shënova një gol të tillë si në Ballsh.

Si ndiheni këtë sezon në Korçë, një ekip thuajse me shumë të rinj, dhe jeni titullar?

Po ndihem shumë mirë dhe mbështetem shumë edhe nga trajneri Ahmataj. Më kanë dhënë besimin ai dhe klubi. Shpresoj që të shënoj sa më shumë për t’u perfeksionuar vetë, si dhe të ndihmojmë ekipin. Skënderbeu ka emër të madh, ka një fanellë që krijoi histori në futbollin shqiptar. Morëm pikë në Durrës, fituam në Ballsh, por tashmë duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës…


Ku e shikoni të ardhmen Pusi, në Korçë, në Shkodër apo jashtë?

Unë jam shumë mirë te Skënderbeu. Ka një klimë shumë të mirë e për më tepër që drejtuesit po promovojnë shumë lojtarë të rinj, të huaj dhe shqiptarë. Ne jemi një grup që funksionojmë mjaft mirë, në lojë por edhe jashtë. Unë këtu dua që të rritem sa më shumë dhe siç janë politikat e klubit të shitem jashtë. Në Korçë kjo ka ndodhur dhe është kthyer në traditë, kështu që edhe unë këtë synim kam. Do të punoj shumë.