Keisuke Honda u bë lojtari i parë në histori që shënon gol në 6 kontinente. Japonezi, i cili në të kaluarën ka veshur edhe fanellën e Milanit, aktualisht është pjesë e Botafogos në Brazil, teksa ditën e djeshme realizoi golin e 100-të në karrierë në barazimin 1-1 ndaj Bangu.

33-vjeçari e nisi karrierën te Nagaja Grampus në Japoni ku shënoi golin e parë si profesionist. Nga viti 2007 deri ne 2017, Honda luajti në Europë, duke u aktivizuar me VVV-Venlo, CSKA Moskë dhe Milanin, ku në total realizoi 53 gola.

Më pas Honda kaloi në Meksike, duke luajtur me Paçukën. Në 29 ndeshje japonezi realizoi 10 gola. Pas Meksikës, destinacioni i radhës ishte Australia. 33-vjeçari ishte pjesë e Melburn, ku realizoi 7 gola në 18 ndeshje.

 

Gjithashtu, Honda shënoi dy gola në kontinentin afrikan me Kombëtaren e Japonisë në Kupën e Botës 2010 në Afrikën e Jugut. Tashmë, së fundmi në debutimin e tij në futbollin brazilian, 33-vjeçari gjen gol edhe në Amerikën e Jugut, duke u bërë lojtari i parë në histori që shënon në 6 kontinente.