Presidenti i ekipit të futbollit të femrave “Juban Danja” Ferdinand Jaku nuk është i mendimit që nga situata e krijuar në vend nga covid-19 të mos ketë vazhdimësi të kampionatit siç edhe mund të përflitet. Ai ka qenë i ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa teksa ka folur edhe për këtë çështje.

Idetë që po hidhen janë për mbyllje të kampionateve dhe renditja përfundimtare e tyre të jetë ajo aktualja. Por Jaku nuk dëshiron të ndodhë kështu, jo ngaqë ka pretendime për renditjen, por për të e rëndësishme është që vajzat të shijojnë emocionet që të jep ndeshja e futbollit.

“Nuk dua ta mendoj se nuk do të ketë më kampionat. Ne të gjithë shpresojmë që deri më 3 prill situata në vend të fillojë të stabilizohet dhe më pas jeta të fillojë t’i rikthehet normalitetit dhe pas kësaj date pastaj të ketë një periudhë në dispozicion të ekipeve për t’u përgatitur për rinisjen e ndeshjeve.

Besoj se nuk është ndonjë problem i madh, të paktën tek futbolli i femrave, për ta vijuar normalisht kampionatin ngaqë edhe nëntë ndeshje janë për t’u luajtur deri në fund të tij dhe koha do të jetë në dispozicion për t’i zhvilluar ato.

Mbi të gjitha rëndësi ka që jeta e të gjithëve ne t’i rikthehet sa më shpejt të jetë e mundur normalitetit sepse pastaj për të gjitha gjërat e tjera do gjendet një zgjidhje”.
© shkodrasport.com