Laçi u mposht nga Tirana me rezultatin 2-3 në stadiumin “Elbasan Arena” në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të të Kategorisë Superiore. Pas sfidës foli edhe trajneri i kurbinasve, Gentian Mezani.

“Skuadra ktheu besimin në pjesën e dytë, por loja është e tillë që ka një fillim dhe një fund. Më vjen keq për pjesën e parë që nuk ishim kompaktë, pësuam gola që mendoheshin shumë të lehtë dhe nuk falen dhe pastaj bëhen shumë të vështira marrja e pikëve.

Unë e kam folur me ekipin që ka shumë oshilacione jo vetëm në ndryshimin e pjesëve, por kanë mungesën e marrjes së përgjegjësisë që u faktua edhe sot padiskutim që një pjesë e parë me 3 gola është shumë e vështirë për tu kthyer, edhe pse i patëm mundësitë për ta bërë.

Mendoj që kemi bërë një pjesë të dytë ashtu si e kishim kërkuar këto dy tre seancat e fundit, një skuadër që bën presion, luan shpejt nuk ja dolëm në pjesën e parë, ata do marrin përgjegjësinë, ashtu si edhe unë pasi unë i hedh në fushë dhe i stërvis.

Shpresoj që të jenë koshientë që nuk luajnë për vete apo trajnerin por për një fanellë, është një skuadër që e ka mësuar tifozerinë e vet duke qenë lart dhe duke u bërë faktor. Ashtu si u luajt pjesën e dytë ashtu duhet të luhet gjithmonë në çdo ndeshje, dhe jo në minutat e fundit. Stavrinica është pjesë e Laçit, ka pjesën e vet. Nuk është keq kur ka njerëz që japin një ndihmesë për të arritur ku duhet”, u shpreh ai për “Oversport”.