Vllaznia gjatë gjithë historisë së saj është njohur për futbollistët e shquar që ka nxjerrë, ku ka spikatur me evidentimin e tyre që në ekipet e moshave. Po ashtu nga Shkodra jo vetëm gjatë gjithë historisë ku ka emra legjendarë që kanë bërë epokë në futbollin tonë, por edhe në vitet e fundit kanë dalë disa nga sulmuesit më të mirë.

Duke përmendur disa emra të dekadave të fundit si: Sinani, Salihi apo edhe Sukaj, të gjithë të njohur për golat e tyre në kampionatin tonë. Por këtë sezon duket se kuqeblutë nuk kanë arritur të evidentojnë një golashënues nga akademia e tyre dhe këtë e vërtetojnë më së miri edhe statistikat që ka nxjerrë ‘Shkodra Sport’.

Në kampionati deri më tani, shkodranët kanë shënuar 34 gola ku protagonistë kanë qenë mesfushorët Marku me 7 gola dhe Jonuzi me 6 gola. Për tu ndalur tek golat e shënuar nga lojtarët e dalë nga akademia Vllaznia, ata janë vetëm 3 të tillë. Ku 2 rrjeta janë realizuar nga Hakaj dhe një gol mban firmën e Balajt.

Dy gola në kampionat ka shënuar edhe Çoba, por i cili është zhvilluar futbollistikisht tek akademia Ajaks në Shkodër e po ashtu Marku siç e përmendëm më sipër, por edhe ai i rritur në moshat e Partizanit.

Nuk është se këtë sezon nuk i është dhënë shansi për të provuar veten futbollistëve të rinj, ku kemi dyshen Alivoda-Smajli që kanë bindur. Por asnjëri prej tyre në rolin e një sulmuesi e duket se nga Shkodra duhet ende të presim për të shikuar ‘bomberin’ e rradhës në futbollin tonë.
Endri ÇINARI