Tirana e ka mbyllur me një humbje 3-1 ndeshjen e parë të saj në turin e dytë të Ligës së Konferencës, ku shorti e ka vënë përballë Beshiktashit.
Ashtu siç pritej në transfertën e vështirë të Stambollit, ishin vendasit që diktuan lojën dhe u munduan që të shënonin sa më shpejt në portën bardheblu. Ata ia dolën me Bulut në minutën e 21-të dhe pastaj me Muleka para fundit të pjesës së parë, teksa Selmani shmangu disa raste të tjera të mira të skuadrës turke.
Në pjesën e dytë, ritmi i lojës ra disi dhe Tirana ia doli që të krijonte disa mundësi përpara. Nëse Abazaj shpërdoroi një rast të mirë për të shënuar, Kaina nuk fali në debutimin e tij në ndeshje zyrtare si bardheblu, duke shkurtuar diferencën.
Por në fund, ishte Kiliçsoj ai i cili shënoi në portën e Selmanit duke vulosur suksesin 3-1 të Beshiktashit, i cili do të vijë në Shqipëri me një avantazh të rëndësishëm për të administruar.
BESHIKTASH-TIRANA 3-1
21′ Bulut, 42′ Muleka, 90’+4′ Kiliçsoj / 83′ Kaina