Vllaznia U-17 është ndalur në barazim 2-2 në ndeshjen e javës së katërt të kampionatit, atë që ka luajtur këtë fundjavë në aneksin e stadiumit në Korçë ndaj ekipit të Skënderbeut. Një takim ky që të gjitha momentet kryesore të tij, i ka patur në pjesën e dytë, pasi katër golat dhe emocionet janë shënuar dhe përjetuar në fraksionin e dytë.
Pjesa e parë, pavarësisht rasteve të krijuara, është mbyllur në barazim 0-0. Ndërkohë që, e dyta do të prodhonte katër gola. Menjëherë, me fillimin e saj, më konkretisht në minutën e 49-të, Skënderbeu do të kalonte në avantazh pas një penalltie të shënuar.
Megjithatë, skuadra e drejtuar nga trajneri Gilman Lika, 10-minuta më vonë, barazoi me anë të futbollistit të zakonshëm, Gerald Kubazi, i cili do të shënonte nga penalltia. Ndërkohë, më pas, Skënderbeu shënoi sërish, kësaj rradhe golin e dytë, duke kaluar sërish në avantazh.
Megjithatë, Vllaznia pavarësisht disavantazhit që ndodhej, i shtoi përpjekjet dhe në minutën e 95-të, ka fituar një 11-metërsh, që është kthyer sërish në gol nga futbollisti Gerald Kubazi dhe në këtë mënyrë, i gjithë takimi do të mbyllej me shifrat e barabarta 2-2, duke bërë që të dy ekipet të ndajnë nga një pikë në këtë ndeshje.
Pas këtij barazimi, Vllaznia U-17 renditet në vendin e gjashtë në tabelën e klasifikimit në kuotën e pesë pikëve. /Maringlen ZHIVANI/
Skënderbeu-Vllaznia U17 2-2
Golat për Vllaznia U-17: Kubazi (pen) 60’, (pen) 90’+5
Formacioni i Vllaznia U-17: Arm. Gërbeti, Meta, Selmani, Marashi, Toni, Kubazi, Ara, Hoxha, Sylja, Kapllanaj, Çelepija (u aktivizuan: Hotaj, Likaj, Ars. Gërbeti, Hajdari, Guri) Tr: Gilman Lika