Kombëtarja e Shqipërisë së femrave U-19 ka zhvilluar ditën e djeshme sfidën e tretë dhe të fundit ndaj Turqisë, në kuadër të ndeshjeve të kualifikueseve të kampionatit europian 2022, ku Shqipëria ishte shortuar në të njëjtin ekip me Turqinë, Izraelin dhe Qipron. Në sfidën e zhvilluar në kompleksin “Arslan Zeki Demirçi Sport” në Turqi, vajzat kuqezi u mundën me rezultatin 1-9.

Trajneri shkodran Kreshnik Krepi e nisi ndeshjen ndaj Turqisë me këtë formacion: Hyska, Caka, Iliadhi, Vuksani, Tanushi, Blinishta, Armoku, Hamonikaj, Puça, Kaçorri dhe Avullija. Vajzat kuqezi ndëshkohen që në minutën e dytë me Kerimoglu, e cila kaloi në avantazh Turqinë.

Shqipëria nuk dorëzohet, teksa skuadra tenton dy herë me shkodranen Armoku, e cila në minutën e 9-të arrin të kthejë në gol një aksion personal, duke barazuar rezultatin për vetëm 2 minuta, pasi turket arrijnë të kalojnë sërish në epërsi me autoren e parë të golit, Kerimoglu.

Në minutën e 14-të, Turqia shënon edhe golin e tretë, me minutat e para të lojës që prodhojnë emocione dhe gola në të dyja kampet. Pak minuta më vonë, Turqia shënon edhe dy gola të tjerë me Kerimoglu dhe më tej edhe me Içen.

Pjesa e parë mbyllet me shifrat 1-5, teksa me nisjen e pjesës së dytë, Krepi bën dy ndryshime në formacion, me portieren Hyska që del nga fusha dhe i lë vendin Spahos, ndërsa Çemeri zëvendëson Kaçorrin. Edhe në këtë fraksion të dytë të lojës, vajzat kuqezi pësojnë edhe katër gola të tjerë, duke u mundur kështu me shifrat 1-9 nga Turqia.

Shqipëria U-19 e femrave arriti të fitojë ndaj Qipros ndeshjen e dytë të këtyre kualifikueseve, teksa u mund nga Izraeli e Turqia, duke u renditur në vendin e tretë me 3 pikë. Kështu, ekipi U19 i femrave do të vijojë të jetë në Ligën B, edhe për edicionin e ardhshëm të Europianit për femra U-19.

Maringlen ZHIVANI