Ylli i Shqipërisë dhe i Rejnxhërsit, Eros Grezda, këmbëngul se kuqezinjtë nuk janë të dorëzuar, përpara ndeshjes së fundit në Ligën e Kombeve kundër Skocisë.

Sulmuesi, i cili ka qenë gjatë gjithë javës në dyshim, për shkak të një dëmtimi në pulpën e djathtë, shpreson se Kombëtarja do të regjistrojë një fitore të rëndësishme.

Skuadra e drejtuar nga Kristian Panuçi ka ende shanse minimale për ta fituar grupin dhe Grezda këmbëngul se ekipi do të bëjë maksimumin që ti thyejë skocezët. 23-vjeçari tha: “Njerëzit mund të thonë se jemi jashtë garës, por nuk ëhstë e pamundur.

Duhet të fitojmë 3-0 me Skocinë, që të kemi shanse dhe e kemi të qartë se nëse nuk fitojmë, rrezikojmë të zbresim në Ligën D”.

“Nuk kishim si objektiv ta mbyllnim këtë kompeticion në vendin e dytë, por në momentin aktual kjo do të ishte një arritje që merr rëndësi. Edhe nëse nuk mund të kualifikohemi nga faza e grupeve, të paktën nuk do të rrezikojmë rënien, për këtë arsye duhet ta mposhtim Skocinë.

Do të luajmë për të marrë tre pikët e plota, edhe sepse për vendin e parë asgjë nuk ka përfunduar”.

“Në Shqipëri jemi një skuadër e ndryshme nga ajo që humbi në Skoci: jemi si Rejnxhërsi, që askush nuk arrin ta mposhtë në Ibroks. Jam optimist! Në Skoci mungonin shumë lojtarë dhe unë isha mes tyre.

Do të jemi një skuadër tjetër, është ndeshja e fundit e Ligës së Kombeve dhe dëshirojmë ta mbyllim me sukses. Do të jap më të mirën të fitoj kundër Skocisë dhe shokut tim të skuadrës, MekGregor. Alanin e ngacmova duke i thënë se luajmë në një qytet të keq, ku ushqimi nuk është aspak i mirë dhe gjëra të tjera. Natyrisht që po bëja shaka. Do të jetë një ndeshje e bukur”.