Kombëtarja e Shqipërisë së femrave arriti një fitore të thellë me rezultatin 4-0 ndaj Armenisë në transfertë, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e kampionatit botëror. Ky tre pikësh ishte mjaft i rëndësishëm për vajzat kuqezi, që tashmë i rendit në vendin e katërt me 10 pikë, një rekord ky për Kombëtaren e Shqipërisë së femrave.

Trajneri Armir Grima kishte ftuar 22 lojtare, pjesë e kampionatit shqiptar dhe atij kosovar, teksa ranë në sy edhe elementet e reja në skuadër, që patën mundësinë t’i tregonin aftësitë dhe cilësitë e tyre stafit kuqezi.

Në një prononcim për “Shkodra Sport”, vetë trajneri shkodran u shpreh i kënaqur nga këto ndeshje, si edhe nga paraqitja dhe impenjimi i lojtareve të thirrura, duke theksuar se këto ndeshje janë mjaft të vlefshme për të rritur gjendjen e skuadrës. Grima falënderoi edhe FSHF për mbështetjen që i jep skuadrës së femrave, teksa u ndal të fliste edhe për ecurinë e Vllaznisë.

Për shkodranët, Grima u shpreh se nëse fitohet Kupa do të mbyllen oshilacionet që janë treguar këtë sezon, ndërsa theksoi se pritshmëritë ishin më të mëdha, se sa është arritur deri tani.

“Besoj që kemi bërë një ecuri të mirë. Mos të themi shumë të mirë, që me pak kujdes mund të kishim edhe 2-3 pikë më shumë. Jam shumë i kënaqur me rritjen, që kanë pasur vajzat nga viti në vit dhe shumë i kënaqur, nga mbështetja që kemi pasur nga FSHF.

Skuadra që unë drejtoj, ka një grup jo shumë të elementit cilësor. Kemi një bazë të mirë vajzash, por që shpresojmë të rrisim vajzat e reja dhe në çdo grumbullim, afrojmë nga ekipet e U17 dhe U19 vajza për t’i motivuar dhe për t’i vlerësuar, që të jenë pjesë e ekipit të Kombëtares së Shqipërisë.

Po punojmë për të afruar dhe për të pajisur me pashaportë vajza që kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e Kombëtares tonë, që në të ardhmen do na ndihmojnë në rritjen e cilësisë, akoma më shumë.

Sezoni i Vllaznisë, besoj që po arritën të fitojnë Kupën, mbyll oshilacionet, që kanë treguar këtë sezon. Patëm një pritshmëri më të madhe, duke shikuar edhe ecurinë e suksesshme të sezonit të kaluar, por me që janë në garë për të fituar Kupën dhe po ia arritën, besoj që do jetë një sezon i mirë.

Pas mbarimit të sezonit, do jenë drejtuesit ato, që do vlerësojnë punën e trajnerit Plori dhe të çdo sportisti.
Unë mendoj që skuadra ka nevojë për mbështetje të fortë këto ndeshjet e mbetura dhe kur them skuadra mendoj, fus këtu edhe stafin teknik, me në krye trajnerin Plori dhe kjo mbështetje duhet të vijë së pari nga drejtuesit dhe tifozëria, pavarësisht pritshmërisë, që kanë pasur, por për mos të dështuar si sezon, duhet të fitohet Kupa.

Mendoj nga këndvështrimi im, që Vllaznia s’ka nevojë për një mori kaq të madhe të huajsh, me gjithë rrespektin për këdo prej tyre. Duhet të mbahen lojtarët cilësorë, që kanë kontribuar te ekipi, plus që të ketë një mbështetje të elementit vendas, sepse në këto mundësi, që kanë sot sportistat, është e vetmja mënyrë për të pasur financa të forta për klubin, duke i dhënë një mbështetje të madhe Akademisë, që nxjerr çdo vit elementë cilësor, ku mund të përfitojë klubi nga shitja e tyre. Kjo duhet të jetë e ardhmja e Vllaznisë, mendoj unë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Armir Grima.
Maringlen ZHIVANI