Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, sheh një skuadër në rrugën e duhur drejt objektivave madhorë që ka këtë sezon. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi që po luan sa në krahun e djathtë dhe sa në qendër të këtij reparti, theksoi ndër të tjera se fitorja ndaj Dinamos nuk mund të quhet rastësi.
Ai ka besimin e plotë se edhe vazhdimësia do të jetë si ajo e takimit të fundit. Gurishta ka një vlerësim maksimal për Kukësin, që e cilëson si një skuadër që bën futboll të bukur, ndërsa në garën për titull i bën elozhe Tiranës.
Erdenis, një fitore me shumë gola dhe spektakël ndaj Dinamos. E kishit menduar një gjë të tillë?
Sigurisht që çdo fitore të jep kënaqësi, por kjo e fundit të jep edhe më shumë, sepse e dominuam ndeshjen për 90 minuta. Normalisht që rrallë përfundojnë ndeshje me kaq shumë gola, por Vllaznia këtë sezon po tregon se nuk është rastësi që fiton thellë. E shijuam një rezultat të tillë edhe në ndeshjen e parë ndaj Laçit me shifrat 5-3.
Është kjo Vllazni e frikshme për kundërshtarët pas paraqitjes së fundit?
Nuk e di sa do të frikësohen ekipet tjera nga paraqitja e fundit kundër Dinamos. Objektivi ynë është t’i mundim dhe jo t’i frikësojmë ekipet e tjera. Këtë do të kërkojmë çdo ndeshje këtë sezon.
Në ndeshjen me Dinamon pësuat tre gola. Për çfarë ju vjen më shumë keq në këtë aspekt?
Tre gola të pësuar janë shumë, por po t’i analizojmë mendoj se goli i dytë që shënoi Dinamo vjen pas një penalltie të dhuruar. Po ashtu, edhe te goli i tretë ishte një aksion ku kundërshtari nuk respektoi “fair play”-in, pasi Heriç u dëmtua. Por gjithmonë ka vend për përmirësime dhe nuk na vjen mirë që pësojmë kaq shumë.
A mund të themi se takimet që vijnë, sidomos dy të radhës ndaj Kukësit dhe Tiranës, janë të një shkalle më të lartë vështirësie dhe do të tregojnë fytyrën e vërtetë të Vllaznisë?
Së pari, nuk ka takime të lehta këtë kampionat, pasi çdo kundërshtar meriton respekt. Fokusi ynë kryesor është të kalojmë me sukses Kukësin, pastaj të mendojmë për ekipet e tjera. Na pret një ndeshje shumë e vështirë, sepse Kukësi ka treguar futboll të bukur deri tani dhe sigurisht që meriton komplimente. Do të jetë një ndeshje shumë e bukur, por ne kemi objektiv fitoren.
Duke qenë ndeshje në transfertë, një pikë ndaj një rivali si Kukësi do t’iu kënaqte apo kërkoni vetëm triumfin?
Në çdo ndeshje futemi për 3 pikë, por ndonjëherë 90 minutat sjellin situata të ndryshme, të paparashikuara. Gjithsesi, do të luftojmë vetëm për tri pikë dhe besoj që do t’i arrijmë ato.
Takimi me Kukësin do të luhet në Rrogozhinë, më mirë për ju?
Për ne nuk është problem, sepse edhe stadiumi i Rrogozhinës është në gjendje shumë të mirë. Shpresoj t’ia dalim me sukses.
Cilat skuadra i shikoni si rivalet më të forta në luftën për titull?
Të gjitha ekipet janë forcuar këtë sezon, por është ende herët të themi kush janë pretendentët kryesorë. Deri tani shikoj një Tiranë shumë të fortë dhe një Kukës shumë të bukur.
Në sezonin e kaluar kundërshtarët nuk iu shikonin me syrin e ekipit pretendent. Tashmë që ju marrin shumë më seriozisht, sa e vështirë do të jetë?
Sigurisht që tani na shohin me një sy tjetër. Kemi fituar Kupën e Shqipërisë në edicionin e kaluar, ndërsa kemi afruar lojtarë shumë të mirë gjatë merkatos të verës. Prandaj mendoj që edhe ekipet e tjera do të na vlerësojnë më shumë këtë sezon.