Laçi fitoi sot 1-0 me Partizanin për javën e 18 të Superligës. Ndeshja u vendos nga një supergol i Regi Lushkjas në minutën e 80 të takimit, me 24 vjeçarin që luante ndeshjen e fundit me kurbinasit, pasi do kalojë në Moldavi me Sheriff Tiraspol.
Laçi ndjek Tiranën kryesuese me gjashtë pikë më pak, teksa Partizani qëndron në vendin e pestë me 22 pikë.

Pas ndeshjes për Gol pas Goli foli trajneri i Laçit, Mirel Josa.

“Tri pikë edhe në ditët kur nuk shkëlqeni – Nuk mund të them se e fituam nga kualitetet, cilësi ka i gjithë ekipi që kam. Partizani m’u duk skuadër më kompakte sot, na rrezikoi dy herë sot dhe diti të na sulmonte.

Ne patëm durim, kjo ishte vlera jonë. E dërguam ndeshjen që të mbyllej me një gol, këmbëngulëm. Në këto raste nuk ka nevojë loja e bukur dhe spektakli. Dyluftimet janë spektakël, ne ishim më të vendosur në topin e parë, mund të dilte edhe 0-0 për atë si shkoi ndeshja.

I jap vlerësim pozitiv skuadrës. Në një ndeshje janë tre rezultate. Partizani kishte një rast të mirë me Skukës, ne duhet të ishim më rigoroz në markimin e tyre. Dyshja e qendrës duhet të ishte vendosur më mirë.

Ndjekës të Tiranës – Vllaznia është pranë, edhe Kukësi. Nuk mund të thuash hap fals për Kukësin që humbi dje. Ndeshjet direkte do thonë shumë, ndeshja direkte e jona është me Vllazninë. Kemi humbur dy ndeshje me ta këtë sezon, është ekip që ka më shumë ekuilibër në fushë. Do flasim nga nesër me ekipin.

Lushkjën e uroj për largimin te Sheriff, ishte zgjidhje e tij dhe e klubit. Në fundin e nëntorit kishte prerë biletën, e dinte që do ikte. Karakteri i tij vlen, kam pasur edhe Olayinkën me këtë karakter. Futbollistët duhet të kenë karakter para se të jenë lojtarë. Regin do e zëvendësojmë me këta që kemi, nuk mund të marrësh një lojtar dhe ta fusës direkt.

Ka cilësi Laçi për vendin e parë? Kishim tre javë në vendin e dytë, si ishim me ndeshje direkte me Kukësin? Nuk mund të flas fjalë të mëdha për vendin e parë. I kam menduar këto pyetje se do m’i bënit. Ne do bëjmë maksimumin, do respektojmë kampionatin.

Titulli kampion nuk është objektiv për tani, kemi në fillim Europën. Çdo gjë do vijë duke parë. Tirana është në rritje. Nuk do thotë se Kukësi ka ulur armët. Tani ka mbaruar ½ e kampionatit. Vllaznia ka skuadër më solide se sezonin e shkuar”, tha Josa.