Astrit Hafizi është i mendimit se ka ardhur koha për një trajner shqiptar, edhe pse ai “parashikon” se në krye të Kombëtares do të jetë sërish një i huaj. “Me të huajt shmangen përgjegjësitë. Flasin më pak, kur nuk ecin gjërat i shkarkojnë dhe shmangin edhe polemikat. Duka tha edhe për Rejën që ka punuar mirë, por në fund e hoqi. Pse nuk e mbajti kur paska punuar mirë…?”, shprehet ish-trajneri i Shqipërisë ekskluzivisht për “Panorama Sport”.
“DUHET NJË SHQIPTAR” “Nuk e them as për nacionalizëm dhe as për t’u bërë qejfin kolegëve që ende janë në aktivitet”, thekson Hafizi – E them, sepse është më e drejtë kështu. Të huajt, me gjithë respektin, por në 20 vite vetëm De Biazi arriti të shkonte në Europian.
Të tjerët kanë zënë vendin e katërt ose të pestë. Jam i bindur se në 20 vite, edhe një shqiptar mund ta na kishte kualifikuar në një kompeticion të madh. Nuk po bëjmë ‘shkencë’, mjafton të shikoni se me cilin trajner shkoi Maqedonia në Europian…
Shikoni se çfarë trajneri kishte Maroku në Botëror dhe çfarë moshe kishte ai. Regragui ishte 47 vjeç… Shqiptarët e ndiejnë më shumë flamurin, ndiejnë përgjegjësinë dhe njohin më së miri atmosferën që na rrethon.
Të huajt mund të kenë më shumë përvojë, por në fund të fundit e shohin thjesht si punë, pa ndonjë përgjegjësi të madhe. Plus pastaj marrin edhe qindra mijëra euro… Një trajner shqiptar me një rrogë 5 mijë euro në muaj, do të flinte në fushë.
Pra, do të kishte angazhim pa kufi për Kombëtaren. Mirëpo, këtu stoli kuqezi është bërë pronë e të huajve dhe për këtë më vjen keq”, deklaroi Astrit Hafizi.