www.shkodrasport.com
Hajdari e Gocaj firmosin edhe për tre vjet me Vllazninë
Dy nga titullarët aktualë të Vllaznisë, pikërisht Arsen Hajdari dhe Olsi Gocaj kanë firmosur kontratat e reja me klubin shkodran. Lajmi bëhet i ditur nga faqja zyrtare e klubit të futbollit Vllaznisë sipas të cilës, rinovimi me këta dy futbollistë ka të bëjë me hedhjen e piketave për ndërtimin e një skuadre pretendente për sezonin e ardhshëm por edhe më tutje. Kjo sepse me të dy futbollistët janë firmosur kontrata trevjeçare. Ata kanë hedhur firmë në prani të administratorit Kujtim Shaba dhe në këtë mënyrë, numri i firmave të hedhura deri tani shkon në katër pasi më parë këtë gjë kanë bërë edhe portieri Vujadinoviç dhe mbrojtësi Smajli. Firmosja e sotme me Hajdarin, zbulimin e këtij sezoni dhe Gocajn, një tjetër futbollist me të dhëna shumë të mira, tregon se Vllaznia e ka marrë shumë seriozisht ndërtimin e një skuadre shumë të fortë në verë. Dy 23 vjeçarët përpos kësaj, janë edhe shkodranë dhe kjo është edhe më shumë pozitive sepse do kemi një ekip me jo shumë të huaj ndoshta. Drejtuesit e klubit i kanë të qarta në mendjen e tyre atë se çfarë duan të bëjnë dhe prandaj puna ka nisur herët. Kjo është shumë pozitive dhe Vllaznia duket se po nxjerr mësimet e duhura nga sezoni aktual që mund të quhet plotësisht i dështuar.