Në Shkodër dhe në Shqipëri e njohin pëmes xhonglimeve dhe you-tubit por mesfushori Xhuliano Kulli di të luajë bukur futboll. Pikërisht për këtë arsye, dy ditë më parë, 21 vjeçari i lindur në Shkodër dhe i rritur në Itali, ka firmosur një kontratë dyvjeçare me skuadrën e mirënjohur rumune të Dinamos së Bukureshtit. Videot e tij në you-tube, kanë ngacmuar drejtuesit e Dinamos së Bukureshtit për të dërguar menaxherët e tyre në Itali për ta ndjekur në disa ndeshje dhe janë befasuar me nivelin e paraqitur. Për këtë arsye ata i kanë ofruar të shkojë në Rumani për të vazhduar karrierën e tij sportive. Dy ditë më parë, Xhuliano Kulli siç bëhet e ditur edhe nga mediat rumune, ka firmosur për dy vite me gjigandët rumunë të futbollit por kontrata ka një klauzolë sepse deri në fund të këtij sezoni, lojtari duhet të stërvitet dhe të luajë me ekipin e kategorisë së dytë të Rumanisë- Deva që është një filial i Dinamos së Bukureshtit. Kjo është bërë me qëllim ndjekjen nga afër të këtij lojtari dhe përshtatjen me futbollin rumun. Megjithatë e rëndësishme është që Xhuliano Kulli tashmë është pjesë e Dinamos së Bukureshtit dhe kjo është një arritje për këtë futbollit që në Itali ka luajtur me ekipin e Pro Patrias, që merr pjesë në kategorinë e tretë të këtij vendi. Në verën e vitit që shkoi, Kulli erdhi në Shkodër me dëshirën e mirë për t’u testuar dhe qëndruar tek Vllaznia, skuadra e tij e zemrës por drejtuesit kuqeblu nuk u bindën shumë nga aftësitë e tij ndërsa sot mesfushori 21 vjeçar ka firmosur me Dinamon e Bukureshtit.

www.shkodrasport.com