Esin Hakaj vjen në gjysmë finalen e parë të Kupës së Shqipërisë, Partizani-Vllaznia, me statusin e ish-it. Gjithsesi, mbrojtësi shkodran ka besimin e plotë se Vllaznia do të marrë një rezultat pozitiv në përballjen e së enjtes ndaj të kuqve. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai e quan një sfidë mes dy rivaleve historike, ku diferencën do ta bëjnë vetëm episodet.

Situatën aktuale në kampin kuqeblu Hakaj nuk e konsideron pozitive, pasi dihen rezultatet e fundit, por rikthimi në fushën e lojës të disa titullarëve me probleme e ka rritur besimin se Vllaznia do të dijë si të marrë rezultat pozitiv në takimin e parë gjysmëfinal, për t’i paraprirë kësisoj edhe kalimit në finalen e Kupës.

“Mendoj se me rikthimet e disa prej lojtarëve dhe me punën që po bëhet, situata në ekip është e mirë. I kemi lënë pas humbjet e njëpasnjëshme dhe tani po mendojmë për duelin e Kupës ndaj Partizanit. Mungesat ndikuan në takimin ndaj Egnatias dhe shpresoj që me rikthimin e tyre të rikthehet edhe ekipi që të gjithë presin.

Kupa ka specifika të ndryshme nga takimet e kampionatit. Duhet që të bëjmë kujdes në prapavijë dhe të godasim. Për ne është e rëndësishme që të gjithë të japin më të mirën e tyre në fushën e lojës dhe të tregojmë vlerat tona të vërteta. Ne shkojmë për të marrë më të mirën, por e dimë mirë që edhe nëse fitojmë apo humbasim asgjë nuk do të përfundojë. Do të jenë në lojë edhe 90 apo edhe 120 minuta në Shkodër.

Mendoj se kemi një ekip më të mirë. Këtë sezon Partizani nuk na ka mundur asnjëherë, megjithatë janë takime me specifika të tjera. E rëndësishme është që ekipi të bëjë më të mirën në të dyja përballjet. Nëse tregojmë lojën tonë, jam i bindur tek arritja në finale. I kemi mundësitë për të marrë më të mirën që në takimin e parë dhe për të bërë një hap drejt finales së Kupës.

Nuk e vë në dyshim, të dyja janë të arritshme. Do të luajmë deri në fund që të arrijmë Europën nga dy mundësitë që kemi, nga kampionati dhe Kupa. Ne do të luftojmë në të dyja frontet që të jemi në Kupat e Europës. Në të kundërt, do të jetë një dështim yni në këtë sezon”- eshte shprehur ne prononcimin e tij mbrojtesi i Vllaznise.