Shkodrani i Partizanit, Esin Hakaj pas takimit nuk e ka fshehur emocionin që përjeton kur luan ndaj Vllaznisë, e sidomos në “Loro Boriçi”.  Për “Panorama Sport” Hakaj është shprehur se Vllaznia është në zemrën e tij edhe pse me emocione të forta kur luan kundër saj:

Shkodrani tjetër i të kuqve, Esin Hakaj, që po bën mjaft mirë punën e tij në të majtë të mbrojtjes, madje duke qenë shumë ngacmues edhe në vijën e sulmit, për takimin me Vllazninë u shpreh: “Mendoj se mund të merrnim më shumë në këtë takim, sidomos në pjesën e parë, ku humbëm disa raste.

Por, gjithsesi, me atë që dha edhe Vllaznia në pjesën e dytë, mendoj se ishte një rezultat i drejtë. Nuk duhet harruar që ashtu si edhe ne, edhe Vllaznia nuk është pa meritë në këto pozita”. Hakaj foli edhe për emocionet që i japin përballjet ndaj Vllaznisë:

“Ne jemi profesionistë dhe luajmë në skuadra të ndryshme, por për një shkodran, Vllaznia është gjithçka e për më tepër ne që kemi dalë nga kjo skuadër. Mendoj se kampionati do të jetë i hapur deri në ndeshjen e fundit. Kreu tani është ngjeshur shumë dhe çdo javë situata mund të ndryshojë për mirë për një skuadër dhe për keq për skuadrën tjetër.

Megjithatë, them se Partizani do të jetë deri në fund në luftë për titull. Unë do të kërkoj të jap më të mirën për skuadrën. Nuk do ta kemi asnjë ndeshje të lehtë këto 10 javë. Të gjitha takimet do të jenë finale për ne. E tillë do të jetë edhe ndeshja ndaj Bylisit. Shpresoj që të marrim më të mirën dhe të vijojmë të jemi në pretendimet tona”.