Vllaznisë nuk i ka mjaf tuar dominimi me lojë dhe raste për gol kundër Tiranës për të marrë tri pikë në kryeqytet. Megjithatë, barazimi sërish ngroh kampin kuqeblu, pasi ndaj kryesuesve arritën të bënin spektakël në “Air Albania”.
Një prej titullarëve të padiskutueshëm, Esin Hakaj, i cili doli i dëmtuar nga fusha në fundin e pjesës së parë, në intervistën për “Panorama Sport” ka treguar se Vllaznia konfirmoi ndaj Tiranës se ka një ekip me shumë cilësi.
Mbrojtësi i majtë është i bindur që 8 pikë diferencë nuk janë shumë, teksa beson se do ta parakalojnë ekipin bardheblu në luftën për titullin.
Esin, vetëm një pikë ndaj Tiranës, edhe pse dominuat lojën. Ndieni keqardhje për rezultatin?
Nomalisht që po. Jo vetëm unë, por i gjithë ekipi është i mërzitur për rezultatin. I kishim të gjitha mundësitë që të fitonim, pasi e dominuam plotësisht Tiranën në çdo aspekt. Ishim superiorë në të gjitha drejtimet dhe kjo është keqardhja më e madhe.
Gjithsesi, shumë raste të shpërdoruara…?
Krijuam shumë mundësi dhe për më tepër Tirana nuk na vuri në asnjë moment në vështirësi. Më vjen keq, sepse nëse do të zhbllokonim shifrat, pa frikë mund të them se do të fitonim 3-0. Në këtë takim nuk na mungoi asgjë tjetër veç golit, pasi në të gjitha aspektet e tjera ishim superiorë. Ky është futbolli, luan shumë mirë dhe nuk fiton. Të vjen vërtet shumë keq që në një ndeshje të tillë del pa pikë.
Barazimi ju mban larg objektivit për titull apo mendoni se diferenca me Tiranën do të ngushtohet në vazhdimësi?
Jo, nuk jam i këtij mendimi. Këtë do ta thosha edhe para ndeshjes me Tiranën. Pavarësisht se përballë kishim një skuadër që kryeson renditjen me meritë, Vllaznia tregoi se ka ekip më cilësor. Ka ende shumë ndeshje dhe 8 pikë nuk janë asgjë, kur mendon se të gjitha ekipet do të përballen edhe nga dy herë me njëratjetrën.
Është një rrugëtim i gjatë drejt titullit dhe situatat mund të ndryshojnë nga ndeshja në ndeshje. Nuk e kemi mendjen në këtë moment tek objektivi madhor, pasi duhet të shikojmë që të mos lëmë pikë dhe të marrim maksimumin në çdo takim. Vetëm kështu do të shkojmë drejt titullit.
Gjatë javës së përgatitjeve ndaj Tiranës keni pasur probleme dhe kjo ju detyroi të mos luani deri në fund. Si ndiheni tani?
Kam pasur probleme pas miqësores që zhvilluam me Tërbunin, por nuk doja kurrsesi që të mos isha pjesë e ekipit ndaj Tiranës. Gjendja dukej e mirë dhe trajneri më bëri pjesë të formacionit.
Para se të mbyllej pjesa e parë ndjeva pak shqetësim në këmbë dhe stafi vendosi që të lë lojën, në mënyrë që të mos rrezikoja më shumë. Më vjen keq që nuk arrita ta çoj këtë takim deri në fund, por megjithatë të gjithë lojtarët pa përjashtim dhanë më të mirën në këtë përballje.
Sa shqetësues është ky dëmtim?
Kam kryer ekzaminimet dhe stafi mjekësor më ka konfirmuar se nuk është një problem shumë shqetësues. Ishte diçka e kapur në kohë./panorama-sport/