Vllaznia luajti para tre ditësh në “Air Albania” ndaj Tiranës dhe ajo që ra në sy në këtë ndeshje, ka qenë prania e një numri të konsiderueshëm tifozësh shkodranë, të cilët, kanë prefuar të mos mungojnë në stadium në klasiken e futbollit shqiptar.

Përgjithësisht, shkodranët janë të etur për futboll dhe mbi të gjitha për Vllazninë e tyre, por duhet theksuar se tifozëria ka qenë e organizuar si rrallë herë më parë. Kur e krahason me kohën kur në Shkodër tribunat tejmbusheshin nga cepi në cep është akoma larg, por kur mendon se është vetëm fillimi, mund të themi se nuk është fort keq.

Për t’u rikthyer te ndeshja e cila ishte nën një atmosferë fantastike dhe të zjarrtë që “ziente” nga tifozëria shkodrane, të cilët ndezën “Air Albania”, u shoqërua klasikja Tirana-Vllaznia. Në tribunën mike aty ku qëndronin tifozët shkodranë, ishte një ambient i tejmbushur, madje shumë prej tyre kanë qenë duke brohoritur dhe kënduar për gjatë gjithë ndeshjes.

Tifozëria e Vllaznisë ka qenë gjithmonë pranë kuqebluve për ta mbështetur ekipin e tyre të zemrës dhe kurrsesi nuk mund të mungonte në këtë ndeshje, teksa për më tepër ishin gjithë kohës në mbështetje të skuadrës së tyre me një koreografi fantastike. Padyshim që, stadiumi “Loro Boriçi”, është shtëpia e tifozëve më të zjarrtë në Shqipëri, teksa njihen për mbështetjen që i kanë bërë dhe i bëjnë ekipit të tyre.

Faktikisht, Vllaznia ka tifozët më të zjarrtë, por nga ana tjetër edhe “specialistët” më të shumtë.
Me një fitore, skuadrën e bëjnë për titull kampion, ndërsa me një humbje nisin kritikat ndaj lojtarëve dhe marrin rolin e “trajnerit”.

Me mirëorganizimin e tifozërisë, sigurisht që në vazhdim, ndoshta numri i sportdashësve mund të dyfishohet, ose edhe trefishohet. Diçka është e sigurt që në vazhdim, skuadra e Vllaznisë nuk do të udhëtojë e vetme në transfertë, pasi do e ketë në krah lojtarin e 12-të, e megjithatë kuriozë jemi të shohim se çfarë do të ndodhë, teksa pas mirëorganizimit të tifozërisë, pritet që interesi të jetë i jashtëzakonshëm.
Maringlen Zhivani