Problemet që po kalon skuadra e Flamurtarit kanë ndikuar në ecurinë e disa prej futbollistëve të cilët një sezon më parë kontribuan shumë për ngjitjen e saj në Superligë. Për këtë arsye, dy nga tre shkodranët që kanë qenë pjesë e saj më parë, tashmë e kanë “braktisur” ekipin e kryeqytetit kosovar. Bëhet fjalë për portierin Ervin Hallunaj dhe mbrojtësin Erbet Hotaj. Në Prishtinë ka mbetur vetëm sulmuesi Jurgen Gjini.

Dy të parët tashmë kanë tërhequr edhe dokumentacionin përkatës tek Flamurtari duke qenë futbollistë të lirë dhe presin merkaton e janarit që të sistemohen në ekipe të tjera. Me shumë mundësi në futbollin shqiptar ngaqë u larguan me një përvojë të hidhur nga Kosova. Ata kanë patur probleme edhe me pagesat tek kjo skuadër dhe përpos këtij fakti,me largimin e trajnerit Samuel Nikaj nga drejtimi i saj në verë, drejtuesit e tjerë të klubit kanë nisur fushatën e “spastrimit” të skuadrës nga të besuarit e tij. Një veprim i gabuar sepse këtë po e vuan Flamurtari i cili ndodhet në vendin e parafundit në renditje. Madje edhe sot, në ndeshjen e rradhës për kampionat, ai është mundur 2-0 nga Vllaznia e Pollozhanit që mban vendin e fundit.

© shkodrasport.com