
Deri më dje jo të gjithë tribunat e stadiumit “Loro Boriçi” ishin hapur për tifozët pasi tribuna qendrore ishte planifikuar të bëhej me bileta por sot gjërat kanë ndryshuar. Klubi Vllaznia ka bërë të ditur se me mirëkuptimin edhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, është rënë dakord që të hapet edhe tribuna qendrore. Kjo do të thotë se i gjithë kapaciteti i stadiumit “Loro Boriçi” tashmë është në dispozicion të tifozëve të Vllaznisë por edhe atyre të Tiranës apo dhe të tjerëve që duan të jenë të pranishëm në këtë ndeshje shumë interesante por edhe të rëndësishme. Vendimin për hapjen edhe të tribunës qendrore të stadiumit, e ka bërë të ditur vetë klubi shkodran përmes një njoftimi pasditen e sotme ku ndër të tjera, u bën thirrje edhe tifozëve të jenë të pranishëm për të mbështetur skuadrën e tyre. Ja njoftimi i klubit kuqeblu:
“Klubi i Futbollit Vllaznia njofton të gjithë sportdashësit se për ndeshjen e së shtunës me Tiranën, përveç tribunave C, D dhe E të cilat ishte njoftuar që dje se do të ishin të hapura për tifozët për të hyrë pa bileta, tashmë është rënë dakord që edhe tribunat A dhe B të jenë të tilla. Kjo do të thotë se i gjithë stadiumi “Loro Boriçi” do të hapë dyert për të mirëpritur tifozët e shumtë të Vllaznisë që gjatë gjithë këtyre ditëve kanë shprehur gatishmërinë e tyre për t’i qëndruar pranë skuadrës në këtë ndeshje të fundit të këtij kampionati. Kjo është ajo që ne presim, mbështetjen e tifozëve tanë. Futbollistët kanë nevojë për praninë e tyre në stadium, për ovacionet e tyre dhe me shumë mundësi, ato nuk do u mungojnë.
Forca Vllaznia”!