Mbrëmjen e djeshme është zbardhur kërkesa e klubit Vllaznia për arbitër shqiptar në sfidën ndaj Tiranës duke hedhur poshtë dhe aludimet e ditëve të fundit që flisnin për një kërkesë për arbitra të huaj. Për kuqeblutë nuk ka ndonjë problem të jetë edhe i kampionatit tonë por me kushtin që të mos vendosë në fatin e kësaj përballje. Por ndërkohë, ata kanë edhe një kërkesë tjetër: Që ai të mos jetë nga kryeqyteti. Sipas tyre, kjo kërkesë është logjike nisur nga fakti që do të luhet ndaj një ekipi të këtij qyteti dhe prania edhe e arbitrave po nga Tirana, dashje pa dashje ka ndikimin e vet. Ende nuk është e qartë se kujt do t’i ngarkohet drejtimi i kësaj sfide shumë të rëndësishme. Megjithatë në këtë pragndeshje, tek Vllaznia nuk e kanë shumë mendjen tek arbitrat por edhe problemet e shumta që skuadra ka me mungesat e lojtarëve dhe stafi teknik është në hall për ndërtimin e 11-shes që do të hedhë në fushë ndaj bardhebluve.

© shkodrasport.com